25/09/2023
18.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Lloga pret që Gjykata Kushtetuese të refuzojë nismën e së Majtës për Ligjin për evidencën amë

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga tha se pret që Gjykata Kushtetuese të refuzojë nismën e partisë politike E Majta për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për evidencë amë të propozuar nga Ministria e Drejtësisë, me të cilin parashikohet që kombësia të regjistrohet në regjistrin e të lindurve, martesave dhe vdekjeve.

“Pres që Gjykata Kushtetuese të refuzojë nismën e së Majtës dhe Ligji të jetë në fuqi. Gjithashtu njoftoj se sapo të kemi vendim të Gjykatës Kushtetuese do të kemi udhëzime të reja dhe certifikata të reja, që do të thotë se praktika që kemi futur do të përsëritet dhe do të kemi grafën e kombësisë në certifikata për të parandaluar keqpërdorimet gjatë punësimit në të gjithë vendin”, tha Lloga gjatë vizitës në Bogovinë.

Lidhur me dyshimet e ngritura që i hapi Komisioni Antikorruptues për librat amë të hakuar dhe tregtimi me të dhënat personale të qytetarëve gjatë transferimit të tyre në formë digjitale dhe nëse mund të ndërmerret mbrojtje, Lloga urdhëroi që çështja të shtrohet në Drejtorinë për udhëheqjen e librave amë.

“Duhet të kontaktoni drejtorin e Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë, ai është përgjegjës për atë çështje. Unë as nuk kam një informacion të tillë, sepse është organ i posaçëm në kuadër të Ministrisë dhe ndoshta aty kanë ndonjë informacion”, tha Lloga.

Të fundit