25/04/2024
6.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

LSDM dhe VMRO-DPMNE me vlerësime fillestare për afatin e zgjedhjeve, dallojnë për një muaj

Dy partitë më të mëdha në bllokun maqedonas dolën me vlerësimet fillestare për terminin e zgjedhjeve. Për LSDM-në, më optimale do të ishte që zgjedhjet të zhvillohen në mes të qershorit, ndërsa për VMRO-DPMNE-në mënyra më e shpejtë për të krijuar kushte për zgjedhje është mesi i korrikut.

Të dy liderët e partive mbrëmë në emisionin në Televizionin 24 mbetën në qëndrimet e tyre të njohura për mbajtjen e zgjedhjeve.

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev thotë se nëse situata me koronavirus lejon të mbahen zgjedhjet, atëherë ka kohë të mjaftueshme që të gjitha aktivitetet të përfundojnë deri në mes të qershorit.

Si politikan me përgjegjësi duhet të marrim qëndrime të qarta, të sakta në bazë të argumenteve.

“Duhet të jemi përgjegjës ndaj shtetit, ta pranojmë momentin e parë për zgjedhje. Më optimale, kjo do të ishte nga mesi i qershorit. Ka mjaft kohë nga përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme për të gjitha aktivitetet, nëse, gjithsesi, këtë e lejon situata me koronavirusin, për çka do të vendosin kompetentët në shëndetësi, tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Arsyet shtesë për mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejt, sipas Zaevit, janë piku i dytë i mundshëm i virusit, mungesa e Parlamentit dhe ekzistenca e një qeverie teknike, e jo të një qeverie politike.

Kundërshtari i tij, Hristijan Mickovski, pohon se tani nuk është koha për zgjedhje, por për përballje me pasojat e pandemisë së koronavirusit në aspektin shëndetësor dhe ekonomik.

Afati më i shpejtë që mund të krijohen kushte për zgjedhje është mesi i korrikut, duke pasur parasysh atë që edhe nëse teorikisht nuk vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme,e cila skadon nga mesi i majit, KSHZ-së i nevojiten së paku 50 deri 60 ditë për përgatitje. I pyetur se cili është momenti më i volitshëm për zgjedhje, ai tha se kjo do të ishte periudha në të cilën nuk do të ketë rrezik për shëndetin e qytetarëve, kur ekonomia do të qëndrojë në këmbë dhe do të ketë kushte për zgjedhje të drejta.

Plotësisht, sipas Mickoski, problem është se si do të zhvillohet dita e zgjedhjeve përkatësisht sa ajo do të paraqiste mundësi për rritje të sërishme të numrit të të i nfektuarve. Gjithashtu, thotë lideri i partisë, në zgjedhje nuk mund të shkohet me program të bërë në janar, kur nuk ka pasur pandemi.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov konsideron se nëse epidemiologët dhe opinioni i ekspertëve vlerësojnë se është e mundur të mbahen zgjedhje, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje.

Gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Top tema” në TV Tellma, Dimitrov tha se më me rëndësi është shëndeti i qytetarëve, por se nëse ka kushte për zgjedhje, atëherë është mirë që kjo të ndodhë.

Nëse nuk ka kushte për zgjedhje, atëherë konsideron Dimitrov, duhet të ketë qeveri politike.

Sipas shefit të diplomacisë, në takimin e liderëve tek presidenti Stevo Pendarovski duhet të bisedohet për zgjedhjet.

Kreu i LSDM-së ka të njëjtin pozicion, duke njoftuar se në takimin e liderëve do të kërkojë mbajtje të zgjedhjeve sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa drejtuesi i VMRO-DPMNE pret të diskutojë kryesisht për situatën aktuale dhe krizën shëndetësore dhe ekonomike, por nuk e përjashton mundësinë e që të diskutohet edhe për zgjedhje. mb/

Të fundit