05/10/2024
14.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

LSDM nesër mbledh Këshillin Qendror dhe atë Ekzekutiv! Kuzeska thotë se LSDM dëshmoi kapacitetin shtetëror, pasi edhe BDI e pranoi kushtin e Mickoskit

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska ka konfirmuar se kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski nesër ka thirrur mbledhje të Këshillit Qendror dhe Ekzekutiv të partisë.

“Pas mbledhjes së djeshme kemi rrethana të reja në skenën politike dhe mu këto rrethana të reja janë shkak për mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv dhe Qendror dhe natyrisht që temë do të jetë mënyra dhe forma në të cilën do të zhvillohen më tej bisedimet me VMRO-DPMNE-në”, deklaroi Kuzeska sot në konferencën për shtyp.

Me herët Kuzeska përsëriti se Mickoski dhe VMRO-DPMNE de fakto kanë ndryshuar qëndrimin ku siç tha ajo, “kanë pranuar ndryshime kushtetuese dhe pjesëmarrje në Qeveri për të ardhme evropiane në bazë të formës së barazisë, me numër të njëjtë ministrash”.

“Edhe kushtin që BDI të mos jetë pjesë e saj në mënyrë ekspres e kanë pranuar nga BDI, vetëm për të mos shpikur kushte të reja. Nga ana tjetër është pranuar kërkesa që ndryshimet kushtetuese të vlejnë pa shtyrje, pra nga dita e mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare. Kërkesa për zgjedhje që më tej do t’i zbatojë qeveria e përbashkët poashtu është pranuar. LSDM-ja si parti e përgjegjshme, shtetformuese përsëri dëshmoi kapacitetin e saj shtetëror ku edhe një herë konfirmoi se e ardhmja e qytetarëve dhe interesi i shtetit janë ndër të parat”, vlerëson Kuzeska.

Ajo shtoi se tani në bazë të rrethanave të reja në skenën politike, nevojitet që dialogu të vazhdojë.

Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në takimin e djeshëm me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka ofruar miratimin konsensual të ndryshimeve kushtetuese në këmbim të hyrjes së partisë opozitare në Qeveri me pesë ministra. Mickoski ka thënë se për të është e pranueshme pjesëmarrja e VMRO-DPMNE-së në një qeveri të përbashkët me LSDM-në dhe partitë tjera, por pa BDI-në, me çka nga BDI menjëherë reaguan ndaj këtij propozimi të Mickoskit me qëndrimin se në interes të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, “do të mbështesnin formimin e qeverisë deri në zgjedhjet në të cilat nuk do të merrnin pjesë”.

Të fundit