29/03/2024
14.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

LSDM për zgjedhje para pikut të dytë eventual, për VMRO-DPMNE-në ka prioritete tjera

Dy partitë më të mëdha në vend edhe më tej me qëndrime të kundërta rreth zgjedhjeve. Sipas LSDM-së qeveritare, duhet të shfrytëzohet mundësia e parë për zgjedhje, ato të mbahen në afat sa më të shpejtë, menjëherë pasi të krijohen kushte, pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe para pikut të dytë eventual të koronavirusit, sepse vendit i duhen institucione kredibile të cilat do të sjellin vendime të guximshme, por edhe të përgjegjshme. Për VMRO-DPMNE-në, prioritet janë shëndeti dhe stabiliteti ekonomik.

Akuzat mes vete vazhduan edhe dje. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se Mickoski ka frikë, e din se do të humbë në zgjedhje dhe se do të dënohen politikat e tija humbëse. Mickoski u kundërpërgjigj se për Zaevin më të rëndësishme janë pushteti dhe stoli, e jo shëndeti i qytetarëve.

Edhe derisa zgjasin kritikat, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe është i drejtpërdrejtë: Kurdo që të mbahen zgjedhje, ato duhet të zbatohen sipas protokollit të rreptë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, i cili do të përpunohet nga Komisioni për sëmundje infektive. Me këtë rast, nuk do të lejohet asnjë organizim që mund ta rrezikojë menaxhimin e suksesshëm të krizës shëndetësore.

“Natyrisht që opozita kërkon parlament funksional, të jetë kreativ në pushtet, vetëm tek ne nuk është ashtu. VMRO-DPMNE ka frikë nga zgjedhjet, e ndjen se do të humbë, se do të dënohen politikat e tyre humbëse. Ardhmëria politike dhe karriera e Mickoskit është në pikëpyetje nëse del në zgjedhje, por është e qartë se ai që humbë – largohet”, ka thënë dje Zaev.

Ai edhe njëherë theksoi se shteti duhet ta shfrytëzojë mundësinë e parë për zgjedhje për shkak të kulmit të dytë eventual të virusit. Në kushte të tilla, përmendi, vendi i duhet një Kuvend funksional. Megjithatë, fjalën e fundin për afat të mundshëm për zgjedhje do ta japin institucionet kompetente shëndetësore dhe komisionet. Nëse ata vlerësojnë se nuk ka kushte për zgjedhje, nuk do të ketë zgjedhje, sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme se shëndeti i qytetarëve.

Mickoski edhe njëherë përsëriti se zgjedhjet nuk janë në tre prioritetet e para të VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, fillimisht duhet të shqyrtohen pasojat nga korona kriza ndaj ekonomisë dhe më pas të bëhen projekte me të cilat do të dilet në zgjedhje para qytetarëve.

“Prioritet të parë e kemi si ta lëmë pas nesh pandeminë, së dyti ta rimëkëmbim ekonominë dhe së treti ta kthejmë vetëbesimin e humbur mes qytetarëve të Maqedonisë. As mua personalisht, as VMRO-DPMNE-së nuk na duhet pushtet me çmim të jetës së njerëzve. Së pari t’i sanojmë pasojat nga pandemia dhe më pas të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Mickoski.

Për atë, si do të funksionojë më tutje pa zgjedhje, lideri i VMRO-DPMNE-së pret marrëveshje në takimin e liderëve tek presidenti Pendarovski, të paralajmëruar për javën e ardhshme. Thotë se është konsultuar me juristë dhe ka mundësi ligjore që të gjindet zgjidhje.

Dje edhe zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska e shprehu qëndrimin partiak se LSDM-ja është për zgjedhje në afat sa më të shpejtë të mundur, sepse nuk dëshiron që shteti të hyjë në valë të re të korona-epidemisë së dytë të shkaktuar pa Kuvend funksional.

“Është përgjegjësi kryesore e shtetit për ta siguruar funksionimin e plotë të institucioneve të tij dhe përgatitjen për valën e dytë të epidemisë. Sapo të krijohen kushtet, sa më shpejt që epidemia të japë një shans për të organizuar zgjedhje, duhet ta bëjmë. Ne do ta marrim vendimin përmes konsultimeve. Ne nuk duam që shteti të hyjë në valën e dytë të mundshme të epidemisë në gjysmën e dytë të vitit pa Kuvend dhe pa institucione plotësisht funksionale me kapacitet të plotë. Prandaj, besojmë se zgjedhjet janë të domosdoshme. Për momentin, tha ajo, e gjithë bota po merret me pasojat e virusit KOVID-19 dhe po përgatitet jo vetëm për valën aktuale, por edhe për fazën e dytë të epidemisë, të cilën e presin të gjithë në gjysmën e dytë të vitit.”, ka thënë Shekerinska.

Gjykata kushtetuese nesër do të vendos nëse do të ketë procedurë për shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve, gjegjësisht do ta vlerësojë kushtetutshmërinë e vendimit për shpërndarjen e Kuvendit të sjell më 16 shkurt.

Siç deklaroi për MIA-n kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati, të enjten e kaluar (30 prill), nga ana e gjykatësit Osman Kadriu është dorëzuar propozim për ngritje të procedurës sipas detyrës zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për shpërndarjen e Kuvendit, për ç’arsye ka caktuar takim pune të gjyqtarëve, i cili duhet të mbahet këtë të mërkurë pas përfundimit të seancës. Në të njëjtën kohë, siç thekson ai, veprimi i mëtutjeshëm i Gjykatës për këtë çështje do të varet nga qëndrimi që do të merrej në këtë takim pune.

Më 15 prill Gjykata e shqyrtoi Vendimin për shpërndarjen e Kuvendit nga 16 shkurti, por nuk solli procedurë. Gjykatësit konstatuan se nga aspekti formal, Kushtetuta nuk është shkelur sepse deputetët kanë të drejtë ta kthejnë mandatin. Iniciativa e re do të mund të konstatohet në esencë – Parlamenti shpërndahet që të zgjidhet përbërje e re parlamentare në zgjedhje, ndërsa kjo nuk ndodhi. fb/

Të fundit