23/04/2024
6.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Maqedonasit nuk humbin asgjë nëse hiqet 20% për gjuhën shqipe nga Kushtetuta!

Gjuha shqipe “therrë” në sy për maqedonasit, edhe pse është gjuhë e pastër, e vjetër dhe e pa kontestuar nga askush. Maqedonia e Veriut është në proces të anëtarësimit në BE por populli maqedonas ende me mendësi të stagnuar. Nxjerrin “vrerë” kur përmendet gjuha shqipe e aq më shumë largimi i definimit me përqindje nga Kushtetuta. Ajo që krijon habi është fakti se nga largimi i përqindjes nga Kushtetuta asgjë nuk humbin maqedonasit, përkundrazi vetëm fitojnë sepse bëhen qytetarë të një shteti ku respektohen të gjithë qytetarët tjerë. Maqedonia e Veriut është në një fazë delikate, para vetës ka një obligim që doemos duhet ta përmbush, ndryshimet kushtetuese, që bullgarët të futen në Kushtetutë. Pra, hapet Kushtetuta që të plotësohet një e drejtë e kërkuar nga bullgarët, por që po tërbohen e nuk po duan të dëgjojnë për të drejtat e shqiptarëve. Pra, maqedonasit plotësojnë të drejta e kërkesa vetëm kur janë të kushtëzuar jo që synojnë shtetin demokratik. Por, fundja maqedonasit nuk janë ata që duhet të japin ose të marrin të drejta askujt dhe nga askush, kështu shqiptarët duhet të jenë të unifikuar dhe të vendosur për atë që ju takon dhe e meritojnë. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë pakicë sepse janë 30%, dhe të lihet ai përkufizim nënçmues e ofendues me përqindje nuk ka kuptim, tani është momenti dhe duhet të veprohet. Pa dëmtuar askënd, kundër askujt, për të mirën e të gjithëve dhe për të drejtat e merituara, shkruan Zhurnal.

Në Kushtetutë vetëm si shqiptarë –

Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare në komunat me shumicë shqiptare, në Shkup, si dhe në institucionet qendrore, si në Kuvend dhe Qeveri, por në Kushtetutë ajo nuk definohet si gjuhës shqipe, por si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e qytetarëve nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonisë së Veriut. Një përkufizim që është ofendues sepse gjuha e popullit shtetformues definohet me përqindje, kjo është e pakuptimtë dhe prandaj është nevoja dhe momenti tani të ndryshohet.

Debati për ndryshimet kushtetuese është ngritur pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë, sipas të cilave, shqiptarët përbëjnë 30% për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë prej 1.8 milion banorësh. Që nënkupton se nuk kemi të bëjmë me kërkesa që adresohen nga një popull pakicë, dhe tani kur Kushtetuta po hapet për pakicën bullgare vetëm sepse këta të fundit vendosin veto, nënkuptohet se RMV është shtet demokratik “artificial” vetëm kur është e kushtëzuar.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në Kushtetutën e këtij shteti, do të definohen si “shqiptarë” dhe jo si qytetarë që përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë së përgjithshme, në rast se ndryshohet Kushtetuta aktuale, sipas së cilës është bërë një përkufizim i tillë. Ky formulim ishte bërë me ndryshimet kushtetuese të miratuara më 2002, një vit pas konfliktit të armatosur të 2001-shit. Dhe, tani hapje e Kushtetutës është e domosdoshme për vendin që të fut pakicën bullgare dhe të vazhdojë rrugëtimin evropian, dhe shqiptarët po kërkojnë që të shfrytëzohet ky momentum dhe në të njëjtën kohë të hiqet përqindja për shqiptarët.

Shqiptarët duhet të jenë të bashkuar rreth kërkesës legjitime për largim të përkufizimit ofendues me përqindje për gjuhën shqipe –

Kërkesa e fundit për mbështetje rreth kësaj kërkese ka ardhur nga ASH që i tejkalon kufijtë e interesave partiake sepse kemi të bëjmë me çështje që është më e madhe se partia, rregullimin zyrtar të statusit të gjuhës shqipe në Kushtetutë. Mjaftë më, me poshtërime të tilla që gjuha shqipe të identifikohet me 20%, ka ikur kjo kohë e duhet të ikë edhe ky përkufizim nga Kushtetuta, sepse edhe ashtu për shqiptarët 20% figuron vetëm në Kushtetute askund tjetër. Në regjistrimin e fundit të popullsisë shqiptarët rezultuan me 29%.

Dhe, tani në situatën kur një parti politike cila do qoftë ajo në rastin konkret është Aleanca për Shqiptarët, ka kërkuar mbështetje nga gjitha partitë tjera, e kjo gjë nuk duhet të merret me sportivitet sepse kemi të bëjmë me një momentum që nuk dihet nëse do të kthehet sërish. Tani po hapet Kushtetuta dhe shqiptarët duhet t’i hapin sytë e veshët të koordinohen e bashkëpunojnë që me çdo kusht të largohet edhe përkufizimi gabuar 20 përqindëshi për gjuhën shqipe.

Fundja përse po hapet Kushtetuta, përgjigja është për të drejtat e një pakice që në këtë rast janë bullgarët, e si ka mundësi të hapet për të drejta e mos të eliminohet edhe një padrejtësi e bërë ndër vite për popullin shtetformues shqiptarët.

Partitë tjera shqiptare, duke filluar nga BDI, Lëvizja Besa, dhe Alternativa me çdo kusht duhet të jenë konzistentë dhe në mbështetje të kërkesës së ASH-së që kur të hapet Kushtetuta e vendit të largohet edhe “20 përqindëshi” nga Kushtetuta dhe e njëjta të zëvendësohet “gjuhë shqipe”. Sepse, fundja kemi të bëjmë me një popull të pastër me gjuhë të pasur, që as etniteti e as gjuha, pra asnjë element identifikues nuk është i cenueshëm e i diskutueshëm nga ndonjë popull tjetër, Pra, kemi të bëjmë me popullin me identitet të vulosur dhe të pa kontestuar.

VMRO dhe LSDM janë shprehur kundër largimit të 20 përqindëshit për shqiptarët nga Kushtetuta –

VMRO DPMNE-ja nuk do të mbështesë heqjen e 20 përqindëshit nga Kushtetuta dhe zëvendësimin e tij me termin gjuha shqipe. Nënkryetari VMRO DPMNE-së Timço Mucunski, në Programin 200 në Alsat tha se janë të hapur të diskutojnë për implementimin e modelit kroat në preambulën e kushtetutës, por jo për zgjidhje që siç tha ai imponojnë binacionalizëm.

Nga ana tjetër, në mënyrë indirekte janë shprehur kundër kësaj nisme edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, dhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq Të cilët thonë se prioritet lidhur me Kushtetutën është përmbushja e obligimit nga korniza negociuese e miratuar nga 27 vende-anëtare të Bashkimit Evropian në pjesën e amendamenteve kushtetuese për përfshirje të pjesëve të tjera të popujve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së veriut, si dhe se nuk ka kurrfarë marrëveshje dhe as që është biseduar për çfarëdo lloj intervenimi tjetër në Kushtetutë.

Kujtojmë që, shqiptarët janë pro ndryshimeve Kushtetuese dhe janë populli më pro evropian në rajon, prandaj nuk ka kuptim logjik të neglizhohet largimi 20 përqindëshit nga Kushtetuta për të mos penguar rrugëtimin evropian. Kaq e thjesht dhe e lehtë shqiptarët nuk po kërkojnë federalizëm apo ndarje shteti, po kërkojnë vetëm atë që e meritojnë t’i kthehet dinjiteti dhe mos të identifikohen me përqindje. Kjo gjë duhet të ndodhë tani, duhet të shfrytëzohet momentumi i hapjes së Kushtetutës pikërisht për të drejta të bullgarëve, përse mos të përfitojnë edhe shqiptarët? Prandaj, duhet unifikim dhe mbështetje e kërkesës së ASH-së nga gjitha partitë politike shqiptare. /Zhurnal.mk

Të fundit