19/04/2024
8.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Maqedoni, zgjedhjet parlamentare po shqyrtohen të mbahen në qershor?!

Së fundmi janë përfolur dy data të mundshme për zgjedhjet parlamentare, procesi për të cilat u ndërpre pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Edhe pse zyrtarisht nuk përmenden nga asnjëra parti, 21 dhe 28 qershori janë dy data që përfliten, informon Alsat-M.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se është e turpshme të flitet për zgjedhje në këtë kohë pandemie, ku gati çdo ditë në vendin tonë shënohen viktima.

“Mendoj se është e vështirë, jonjerëzore, në kushte kur çdo ditë ka të sëmurë nga virusi korona, në kushte kur çdo ditë, mijëra persona humbin vendin e punës, në kushte kur për fat të keq, fëmijët humbin më të afërmit e tyre si pasojë e virusit korona, cilido, të flasë për datë zgjedhjesh. Është e turpshme dhe na ka ardhur te hunda me këtë sjellje të LSDM-së. Është sjellje jonjerëzore e LSDM-së”, tha Aleksandër Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Edhe nga LSDM nuk komentuan datën eventuale të zgjedhjeve duke theksuar se për momentin prioritet për ta është lufta kundër virusit korona. “Vlerësojmë se është herët të flitet për datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare sepse në këtë moment, më e rëndësishme është që përqendrimi të jetë te lufta me virusin korona dhe te menaxhimi me pasojat që sjell kjo krizë ekonomike dhe shëndetësore”, thonë nga LSDM.

Sipas BDI-së fati i zgjedhjeve është në duart e Presidentit, respektivisht në përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e pandemisë Covid-19. Ndryshe, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë të Veriut u shpërnda më 16 shkurt për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill, por ato u anuluan për shkak të përhapjes së koronavirusit./Alsat-M

Të fundit