18/04/2024
5.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të nënshkruajnë memorandume bashkëpunimi në arsim, shkencë, kulturë dhe turizëm

Ministrat e kulturës së Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Nikollai Denkov dhe Bisera Kostadinovska-Stojçevska sot në Sofje do të nënshkruajnë programe dhe memorandume për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës, turizmit, kulturës, rinisë dhe sportit, transmeton Portalb.mk.

Sipas njoftimit të pres-qendrës së Ministrisë bullgare të Arsimit dhe Shkencës, pas kësaj do të vijojnë deklaratat për media të dy ministrave.

Ky është takimi i tretë i Grupit të katërt punues për bashkëpunim bilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, me fokus kulturën, arsimin dhe shkencën, turizmin, rininë dhe sportin.

Në mbledhje nga ana e Maqedonisë, në takim janë të pranishëm edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri dhe drejtorët e Agjencisë kombëtare për programe evropiane arsimore dhe mobilitet dhe Agjencisë për Rini dhe Sport, Marko Gjorgievski dhe Naumçe Mojsovski.

Siç njofton Ministria e Kulturës, në kuadër të takimit të sotëm është planifikuar nënshkrimi i disa dokumenteve bilaterale, ndër të cilat: Programi për bashkëpunim në fushën e kulturës ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Kulturës së Republika e Bullgarisë për periudhën 2022 – 2025; Programi ndërmjet Qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës për periudhën 2022 – 2025; Memorandum bashkëpunimi në fushën e rinisë dhe sportit, si dhe memorandum ndërmjet agjencive kombëtare Erasmus + dhe Korpusit evropian për solidaritet.

Dy vendet kanë intensifikuar bashkëpunimet pas dy qeverive të reja, të cilat kanë shprehur gatishmëri për zgjidhjen e ngërçit, i cili pengon integrimin e Maqedonisë në BE, me vendosjen e vetos nga ana e Bullgarisë.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Të fundit