26/05/2022
21.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria meritojnë nisjen e negociatave me BE-në”

Kryetari i LSDM-së dhe i mandatuari për Qeverinë e re, Dimitar Kovaçevski, së bashku me sekretarin për bashkëpunim ndërkombëtar, Bojan Mariçiq, sot kanë takuar presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Takimi u fokusua në disa tema aktuale me fokus bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje, nismën “Open Balkan” dhe procesin e integrimit evropian.

Nga LSDM, njoftojnë se Kovaçevski shprehu besimin se bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet dy vendeve do të intensifikohet edhe më tej përmes iniciativës “Open Balkan” dhe se të dyja vendet së shpejti do të fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian.

“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë si vende fqinje mike ndajnë të njëjtat vlera dhe kanë një të ardhme të përbashkët. Ajo e ardhme e përbashkët është në BE dhe jam i bindur se së shpejti të dyja vendet do të fillojnë negociatat për anëtarësim në Union, sepse edhe Maqedonia e Veriut edhe Shqipëria kanë përmbushur gjithçka që u është kërkuar, tani është radha e BE-së”, ka thënë Kovaçevski.

Sa i përket bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, ai vuri në dukje se nisma “Open Balkan” është një hap i rëndësishëm drejt avancimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve, sjell mundësi të reja për rritje dhe zhvillim ekonomik, por që nuk është alternativë për anëtarësimin në BE.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi se progresi që ka bërë Maqedonia e Veriut në vitet e fundit është i dukshëm, përshëndeti konceptin “Një shoqëri për të gjithë” që sipas tij, është shembull unik në rajon dhe theksoi se fillimi i negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, jo vetëm që janë të rëndësishme për të dyja vendet, por është në interes të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Të fundit