26/09/2023
23.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Maqedonia, kampione e kostos së lartë për jetesë

Maqedonia vazhdon të ketë inflacion të lartë karshi më shumë shteteve fqinje. Edhe pse norma e inflacionit apo rritja e harxhimeve të jetesës në korrik në vend është zvogëluar në 8.4 për qind, megjithatë këto shifra nuk janë për t’u lavdëruar në raport me shtetet e tjera të rajonit. Inflacion më të lartë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor në korrik ka shënuar Serbia me 12.5 për qind. Në muajin korrik, inflacioni më i ulët me 2.4 për qind është shënuar në Kosovë dhe me 2.5 për qind në Greqi. Shqipëria me 4.2 për qind dhe Bosnje e Hercegovina me 4.8 për qind kanë një inflacion dy herë më të vogël se Maqedonia. Para nesh janë edhe Sllovenia me normë prej 6.1 për qind, Kroacia me 7.4 për qind dhe Mali i zi me 7.5 për qind. Maqedonia e Veriut me 8.4 për qind ka normë të ngjashme të inflacionit me Bullgarinë prej 8.5 për qind. Sipas Zyrës Evropiane të Statistikave – EUROSTAT, në korrik shkalla vjetore në Eurozonë apo në shtetet që përdorin euron, e matur me indeksin e çmimeve konsumatore, ka qenë 5.3 për qind.

INFLACIONI, NJË NGA SHQETËSIMET KRYESORE

Inflacioni ishte një nga shqetësimet kryesore me të cilat jo vetëm Maqedonia po përballej vitin e kaluar por edhe sivjet, vlerësojnë njohësit e çështjeve ekonomike. Megjithatë, ata presin që trendi i rritjes të jetë më i ngadalshëm sivjet, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit – të shënojë rënie. Një arsye për këtë optimizëm është edhe stabilizimi i zinxhirit të furnizimeve. Vlerësohet se ai është i importuar në një pjesë të madhe, për shkak të vartësisë së madhe të vendit nga importit ku bizneset vendore e kanë importuar atë pasi kanë blerë me çmime më të larta, qoftë lëndë të parë, gjysmë-produkte apo produkte finale. Rritja e çmimeve në rajon, por edhe në tërë botën ka nisur nga fundi i vitit 2021, për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Rritja ka vazhduar me ritëm më të shpejtë nga shkurti i vitit të kaluar, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës. Rritje kanë pësuar pothuajse të gjitha produktet e shërbimet në Maqedoni – nga buka, rryma, transporti e deri te banesat.

Në ndërkohë, rënia e normës së inflacionit filloi me fillimin e vitit dhe vijon edhe në muajin korrik 2023 kur është matur rritja e kostos së jetesës prej 8.4 për qind dhe siç është paralajmëruar në muajt e fundit, qeveria po punon me përkushtim maksimal me të gjitha masat e disponueshme për të zvogëluar atë në minimum deri në fund të këtij viti kalendarik, për të mbrojtur standardin e qytetarëve, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi.

“Këto shifra janë në përputhje edhe me parashikimet e qeverisë, të cilat parashikojnë që inflacioni mesatar për vitin 2023 të jetë 8.9 për qind. Nga ana tjetër, kjo Qeveri i kushton rëndësi të madhe krijimit të një klime pozitive biznesi, ku kompanitë do të motivohen për të paguar paga konkurruese, rritja e të cilave në nivel vjetor do të jetë shumë më e lartë se rritja e kostos së jetesës”, thotë Bytyqi. Zëvendëskryeministri pret që rritja e pagës mesatare të vazhdojë me ritme dyshifrore dhe të jetë dukshëm mbi rritjen e kostos së jetesës.

SINDIKATAT: NUK PO VËREHET ULJE E ÇMIMEVE

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se nuk po vërehet ulje e çmimeve përkundër asaj që thuhet se po ulet inflacionit. Bile shporta konsumatore ka arritur 48.620 dhe është për 441 denarë më e shtrenjtë se në muajin qershor. Nga atje shtojnë se kjo rritje e shportës së konsumit “godet realisht xhepat e punëtorëve dhe qytetarëve”, pavarësisht se statistikat zyrtare tregojnë ulje të inflacionit. Njëherësh shtojnë se ulja e inflacionit nuk po vërehet në raport me harxhimet e jetesës që i përllogarit LSM në shportën minimale. Nga ana tjetër, që me fillimin e korrikut, nuk vlen më masa e ngrirjes së produkteve themelore ushqimore si buka, sheqeri, vaji dhe prodhimet e qumështit, ndërsa tregtarët vetë përcaktojnë çmimet. Në periudhën e kaluar, Qeveria ndërmori më shumë masa si për ngrirjen e çmimeve apo marzhave të prodhimeve të caktuara, për të zbutur inflacionin me afat të caktuar kohor.

Eksperti ekonomik, Arben Halili, thotë se pavarësisht uljes zyrtare të inflacionit, tregtarët në fakt nuk po ulin çmimet. Sipas tij, që nga fillimi i krizës, institucionet nuk kanë marrë masa adekuate kundër inflacionit, ndërsa thotë se nuk ka pasur harmonizim në kohë të politikës monetare dhe fiskale. Për më tepër, vlerëson se Qeveria ka reaguar, por jo si duhet. “Ekzekutivi duhej të reagonte para se të ndodhin gjërat, dhe jo më vonë kur ato duhet të riparohen”, shton ai.

Në vend, inflacioni më i lartë u shënua në nëntor të vitit të kaluar me 19.5 për qind, ndërsa sivjet pritet të kemi inflacion nën 10 për qind. Ekonomistët vlerësojnë se Maqedonia është një vend i vogël, i hapur dhe i varur nga importi, i cili është shumë i ndjeshëm ndaj çmimeve dhe ndikimeve ekonomike nga rrethina e saj. Si vendi më i hapur në rajon, duke marrë parasysh strukturën e tij të konsumit, e cila kryesisht apo me mbi 60 për qind përbëhet nga ushqimet dhe energjia karshi 20 për qind shtetet evropiane, ekonomia vendore në mënyrë të pashmangshme është nën një ndikim të fortë të goditjeve të çmimeve. Këtë situatë e vështirëson edhe prodhimtaria e ushqimit dhe energjisë që lë për të dëshiruar e që gjithashtu kontribuon në këtë cenueshmëri të ekonomisë sonë. Andaj edhe përpjekjet për të frenuar rritjen e çmimeve, nuk janë të lehta.

Profesori universitar, Borçe Trenovski, thotë se trendet negative në ekonomi të ndikuara edhe nga jashtë, mund të zbuten dhe parandalohen me ndërmarrjen e më shumë masave që tani.

“Nevojitet reduktimi i vazhdueshëm i varësisë nga importi, pavarësia energjetike, shpërndarja apo diversifikimi i eksporteve, zhvillimi i bujqësisë, prodhimtaria e ushqimeve e kështu me radhë për të parandaluar në të ardhmen këto dukuri negative”, thotë Trenovski. Nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut thonë se duke marrë parasysh arritjet e deritanishme, si dhe parashikimet e institucioneve financiare ndërkombëtare për rënien/stabilizimin e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, shtrëngimin e kushteve monetare dhe masa të tjera, parashikohet ngadalësim i inflacionit, apo ai do të reduktohet në nivel njëshifror nga 8 në 9 për qind në vitin 2023, dhe më pas në periudhën afatmesme do të kishte rënie të mëtejshme dhe ulje nën 3 për qind. Nisur nga zhvillimet gjeopolitike, rreziqet që rrethojnë projeksionin e inflacionit ende ekzistojnë, por për momentin, projeksionet parashikojnë një rënie më të madhe të çmimeve të produkteve primare. (koha.mk)

Të fundit