16/04/2024
19.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Maqedonia për herë të parë do të ulet në tryezën e NATO-s si anëtare e plotfuqishme

Përmes një video konference nesër do të mbahet takimi i parë i ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, në të cilin si anëtare e plotë do të marrë pjesë edhe Maqedonia e Veriut, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, përcjell Koha.mk

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, mëngjesin e sotëm e paralajmëroi programin e nesërm ditor të Këshillit ministror i cili për herë të parë do të mbahet përmes një video lidhjeje të sigurt midis tridhjetë vendeve aleate të NATO-s.

“Nesër do t’i urojmë mirëseardhje Maqedoninë së Veriut si një shtet i tridhjetë anëtar, madje edhe në këto periudha të vështira vazhdojmë të shikojmë përpara”, deklaroi Stoltenberg.

Vendet anëtare të Aleancës nesër në pjesën më të madhe do të përqendrohen në koordinimin e ndihmës në luftën kundër pandemisë së koronavirusit dhe do të paraqiten masat që NATO dhe anëtarët e saj do t’i marrin gjatë krizës.

“Kjo është një krizë globale shëndetësore. Mendimet tona janë me të gjithë viktimat e pandemisë dhe të afërmit e tyre. I falënderojmë të gjithë ata që gjenden në linjat e para – punonjësit shëndetësorë, të mbështetur me përpjekje civile. NATO ka rolin e saj për të ndihmuar në këtë luftë me armikun e padukshëm”, tha Stoltenberg.

Siç sqaroi sekretari i përgjithshëm edhe në intervistë për MIA-në dy ditë më parë, Aleanca po ndihmon, ndër të tjera, përmes transferimit dhe sigurimit të pajisjeve mjekësore siç janë maskat apo tendat për spitalet mobil, por edhe përmes mbështetjes së ndërsjellë nga shtetet anëtare. Kështu, për shembull, Turqia dërgoi një aeroplan ngarkues me pajisje në Itali dhe Spanjë, Gjermania merr pacientë nga vendet e tjera në spitalet e saj, ndërsa mjekët udhëtojnë për t’i ndihmuar kolegët e tyre jashtë vendit.

“Mjekët nga Shqipëria dhe Polonia udhëtuan për t’i ndihmuar kolegët e tyre italianë. SHBA dërgoi pajisje mjekësore në Itali. Republika Çeke ka dhuruar 20,000 kostume sigurie për Italinë dhe Spanjën”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Stoltenberg deklaroi se Maqedonia e Veriut, si anëtare më e re, gjithashtu po e përdor sistemin e reagimit ndaj krizave të Aleancës për t’u koordinuar në nivel qeveritar.

“Thelbësore është ndihma për përpjekjet civile, përfshirë përmes spitaleve në terren, transportin, sigurinë në vendkalimet kufitare, nesër kur do të takohen ministrat do t’i shqyrtojmë mënyrat e koordinimit duke i përdorur aftësitë ushtarake të NATO-s”, tha Stoltenberg.

Në takimin e nesërm, do të diskutohet edhe për forcimin e përgjigjes së vendeve të NATO-s në ballafaqimin me krizën me Kovid-19 por edhe për operacionet themelore dhe misionet e Aleancës.

“Do ta shqyrtojmë se si mund t’i përdorim aftësitë dhe strukturën ushtarake të NATO-s, për ta rritur dhe përshpejtuar mbështetjen tonë në përgjigjet kombëtare të Kovid-19, pasi të gjithë jemi së bashku në këtë krizë dhe përgjigja jonë e përbashkët do të jetë më efektive. Detyra kryesore e NATO-s, siguria dhe mbrojtja e mbi një miliard njerëzve në të gjithë botën duhet të ruhen dhe ne duhet të sigurohemi që kjo krizë shëndetësore të mos shndërrohet në një krizë sigurie”, paralajmëroi sekretari i përgjithshëm.

Aleatët nesër do të bisedojnë edhe për luftën kundër terrorizmit, planin paqësor për Afganistanin dhe ndihmën për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. (koha.mk)

Të fundit