20/04/2024
3.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

MASAT SHTRËNGUESE MBETEN NË FUQI EDHE PËR NJË JAVË

FILIPÇE: SITUATA PO SHKON DREJT STABILIZIMIT

Ora policore do të vazhdojë edhe për një javë, nga ora 20 e mbrëmjes deri në orën 5 të mëngjesit, si dhe objektet gastronomike do të jenë të mbyllura për vizitorë. Komisioni për Sëmundje Ngjitëse i propozon Qeverisë që këto masa të vazhdojnë edhe pas 20 prillit, kur përfundon afati i restriksioneve aktuale për uljen e shkallës së infektimit me virusin korona. Në takimin e sotëm ka pasur propozime që masat të zgjasin edhe më shumë, por siç duket do të jetë i nevojshëm kompromis në mes më shumë palëve për atë nëse do të kufizohet lëvizja e qytetarëve gjatë festave të Pashkëve dhe muajit të Ramazanit.

Të paktën edhe një javë të zgjasë ora policore dhe dyert e mbyllura për mysafirë në restoranet dhe kafeteritë – propozon Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, që të ruhet trendi në ulje i numrit të të infektuarve të rinj me virusin korona.

Një pjesë e anëtarëve të Komisionit, siç zbulon Tv Klan Maqedoni, angazhohen që restriksionet që janë në fuqi të vlejnë edhe më gjatë, të paktën në dy javët në vazhdim, por për momentin veprohet me kujdes – siç thonë, për shkak të pasojave të dukshme në ekonomi dhe pasojat e mundshme politike.

Dilema është a duhet të kufizohet lëvizja e qytetarëve gjatë festës krishtere të Pashkëve që këtë vit përkon me festën e 1 Majit, si dhe gjatë gjysmën së dytë të muajit të shenjtë të Ramazanit për besimtarët muslimanë.

Situata nëpër spitale është stabile dhe gradualisht po zvogëlohet numri I pacientëve që po pranohen nëpër covid-qendra, ka njoftuar Ministri I Shëndetësisë, Venko Filipçe pas takimit të rregullt të mëngjesit me Drejtorët e klinikave dhe covid-qendrave.

Punonjësit e shëndetësisë janë të kënaqur nga rënia graduale e infektimeve të reja, megjithatë shifrat ditore të rasteve pozitive dhe atyre të vdekjes nga Covid-19 edhe më tej janë shumë të larta për një vend me 2 milionë banorë.

Ndryshe, gjatë javës së kaluar, sipas raportit të autoriteteve të shëndetësisë, ishin regjistruar 5.257 raste të reja me COVID-19 dhe 215 viktima.

Qeveria pritet që nesër ta konfirmojë vendimin e sotëm të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse. /KlanMacedonia

Të fundit