25/04/2024
7.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mbeturinat ndërtimore problem për komunat rurale

Ky problem, sipas autoriteteve të Komunës së Zhelinës, duhet të trajtohet në mënyrë institucionale në Qeveri, në Ministrinë e Ekologjisë dhe në Qendrën e rajonit planor të Pollogut ku gravitojnë të gjitha komunat e këtij rajoni

Urim HASIPI
Tetovë, 18 maj – Problemi me mbeturinat inerte nuk është vetëm problem i Komunës së Tetovës, si komuna më të madhe në Pollog. Me këtë problem po përballen edhe dy komunat tjera, gjegjësisht Komuna e Zhelinës dhe Jegunocit. Bëhet fjalë për vendin përgjatë rrugës rajonale Zhelinë – Jegunoc. Pikërisht afër kazermës së Jerbinës, në anën tjetër të rrugës, hidhen mbeturina inerte, lloj-lloj mbeturina nga më të ndryshmet, si ato materiale ndërtimore, por edhe të amvisërive duke filluar nga mobilieri, tekstile dhe shumë mbeturina tjera. Për këtë problem në Komunën e Zhelinës thonë se kanë njohuri dhe sipas tyre problemi qëndron se bëhet fjalë për vend që është në mes të zonës së Komunës së Zhelinës dhe Jegunocit. Këtë zbrazëtirë të mos definimit e shfrytëzojnë banorët dhe kompanitë nga të dy komunat, të cilët hedhin mbeturina pa mbajtur asnjë përgjegjësi. “Ne kemi njohuri për këtë problem që ndodh në atë vend. Mbeturinat jemi munduar disa herë t’i largojmë, por ai vend krijohet ideal për mbeturina për shkak të devijimit të shtratit të lumit Vardar. Ne nuk kemi kompetenca që të veprojmë në shtratin e Lumit Vardar sepse është i mbrojtur me ligj të veçantë. Prandaj edhe krijohen ato deponi dhe hidhen mbeturina, që normalisht koston e përgjegjësisë morale e paguajmë edhe ne si komunë”, thotë kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.

Pamja e këtillë është evidente në disa pjesë ku zona e përgjegjësisë nuk është në asnjërën komunë, prandaj edhe ndodh ky fenomen pohon Sejdiu. Ai është i vetëdijshëm se ky problem duhet të zgjidhet në instanca më të larta, respektivisht në Qeveri dhe ministrinë e Ekologjisë. “Ne kemi kërkuar me shkrim që ky problem të zgjidhet dhe të mos ndodh fenomeni i devijimit të shtratit të Lumit Vardar dhe krahas kësaj kemi kërkuar që të zgjidhet problemi me këtë lloj mbeturinash. Duhet që edhe Inspektorati i Ministrisë së Ekologjisë të del në terren dhe te gjobit ata që hedhin mbeturina në atë pjesë, që është pronë private dhe një pjesë pronë e Republikës së Maqedonisë së Veriut” deklaroi për gazetën Koha kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.

Krahas asaj që ato mbeturina hidhen në atë vend, po ashtu shkaktojnë telashe edhe për bujqit e Komunës së Zhelinës për të arritur tek pronat e tyre. Përveç problemit për të arritur tek pronat e tyre, ata duhet që të kenë kujdes që të mos vërshon Lumi Vardar dhe të dëmtojë pronat e mbjellura, sepse devijimi i shtratit të këtij lumi disa herë ka vërshuar në këto prona. Nga Komuna e Zhelinës thonë se janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje afatgjate dhe zgjidhja do të ishte që të ketë vend adekuat për hedhjen e mbeturinave ndërtimore. Kohëve të fundit në këtë vend është duke u punuar në rrafshimin e vendit dhe më pas sërish krijohen kushte për hedhje të mbeturinave inerte. Ky problem, sipas autoriteteve të kësaj komune, duhet të trajtohet në mënyrë institucionale në Qeveri, në Ministrinë e Ekologjisë dhe në Qendrën e rajonit planor të Pollogut ku gravitojnë të gjitha komunat e këtij rajoni. (koha.mk)

Të fundit