07/10/2024
8.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mbi një muaj me rastin e parë me Kovid-19 në vend, numri i të infektuarve po rritet në mënyrë lineare

Kaloi mbi një muaj kur në vend u regjistrua rasti i parë pozitiv me koronavirus. Prej atëherë numri çdo ditë po rritet, ashtu që sipas të dhënave të fundit, janë konfirmuar 259 raste me koronavirus në vend, gjashtë raste të vdekjes dhe tre të shëruar.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, rritja e numrit të të infektuarve është e pritur, por është mirë që numri i rasteve po rritet në mënyrë lineare, që do të thotë se sistemi shëndetësor ka kapacitet t’i pranojë të gjithë pacientët.

“Është mirë që numri po rritet në mënyrë lineare, e jo eksponenciale, që do të thotë se çdo ditë kemi përafërsisht rritje të njejtë, që ende i jep mundësi sistemit tonë për qëndrueshmëri dhe mundësi për t’i pranuar në mënyrë adekuate dhe për t’i amortizuar të gjithë pacientët, pa u ngarkuar me atë rast kapacitetet tona”, vlerësoi dje Filipçe në konferencë për shtyp, duke cekur se megjithatë ende jemi në një formë të luftës kundër Kovid-19.

Tha se na paraprin periudha më e vështirë në të cilën pritet numri i të sëmurëve dhe të vdekurve të rritet.

“Për këtë të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm. Sot kemi edhe një person të ri i cili vdiq. Kjo është dëshmi se virusi nuk kursen askënd, askush nuk është imun, as i mbrojtur prej tij. Bëhej fjalë për formën më të rënë të manifestimit klinik të kësaj sëmundjeje”, tha Filipçe, duke informuar për pacientin e më të ri të vdekur – një mashkull 31-vjeçar.

Bën thirrje që të sëmurët nuk guxojnë të stigmatizohen, e aq më pak njerëzit të cilët janë në karantinë shtetërore, për të cilët tha se janë kontrolluar nga internisti dhe epidemiologu dhe se deri më tani nuk ka asnjë të sëmurë mes tyre. Modeli i karantinës shtetërore, siç tha Filipçe, është model i cili e mbron shëndetin kolektiv dhe shëndetin e secilit qytetar.

“Këtë model duhet ta mbështesim, për të mirën e të gjithëve. Këta janë njerëz të cilët i vendosim në kushte mjaft të mira, solide dhe të gjithë janë kontrolluar. Ekziston procedurë e cila ndiqet, mënyrë se si veprohet me njerëzit të cilët vendosen në karantinë. Të gjithë këta njerëz janë kontrolluar nga internisti dhe epidemiologu, ndërkaq deri më tani nuk ka asnjë të sëmurë nga Kovid-19”, tha FIlipçe.

Disa persona të cilët kanë pasur simptoma të sëmundjes, janë testuar dhe të njejtët janë negativë, ndërsa tek ata është diagnostifikuar ftohje. Ata, siç informoi FIlipçe, janë në kuadër të asaj karantine, por anash të gjithë personave të tjerë.

Epilog dje mori edhe rasti me struganen 66-vjeçare e cila vdiq nga koronavirusi pasi që nuk ishte hospitalizuar në Spitalin e Ohrit. Ministri paralajmëroi shkarkim të drejtoreshës së spitalit gjatë ditës së sotme, ndërsa dje, sipas paralajmërimeve, në kontroll në spital duhej të dërgoheshin përfaqësues nga Inspektorati shtetëror në mënyrë që të konfirmojnë përgjegjës të tjerë të mundshëm për rastin.

Për këtë rast, lëndë hapi edhe Prokuroria themelore. “Sipas informatave të para, për shkak të përkeqësimit të përnjëhershëm të gjendjes shëndetësore të tashmë të ndjerës, mjeku amë rekomandoi hospitalizim në Repartin intensiv në Spitalin e Ohrit. Por pacientja edhe përkundër udhëzimit, nuk është pranuar në spital”, theksoi Prokuroria në kumtesën e dërguar gjatë fundjavës.

Sipas informatave të kumtuara në konferencën e djeshme për shtyp në Qeveri, në Klinikën infektive në Shkup janë hospitalizuar gjithsej 49 pacientë, prej të cilëve shtatë janë me pasqyrë të rëndë klinike – pneumoni, ndezje të mushkërive, por nuk ka pacientë të cilët mjekohen në makinë respiratore. Është stabile edhe gjendja e të gjithë pacientëve të tjerë në mbarë vendin. ab/

Të fundit