23/04/2024
7.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Me art të angazhuar, teatri i vetëm me hije e aktualizoi problemin me mini hidrocentralet në RMV

Nëpërmjet artit të angazhuar fëmijët dhe të rinjtë mund të edukohen për mbrojtjen e lumenjve në vendin tonë, thonë nga teatri „Hije dhe re“ të cilët në fund të verës dhe në fillimvjeshtë në bashkëpunim me “Eko-svest“ realizuan performancën multimediale me hije “Fludo“, shkruan Meta.mk.

“Hije dhe re“ është teatri i vetëm me hije në Maqedoni, i cili këto pesë vitet e fundit po bën punë të palodhshme në mjediset e tyre në “Debar Maallo” të Shkupit. Në qershor dhe fund të shtatorit ky ansambël reallizoi tre shfaqje në Shkup, Rostushë dhe Manastir, me të cilat e aktualizoi problemin me ndërtimin e mini hidrocentraleve.

Katerina Sekovska nga teatri „Hije dhe re“ thotë se deri më tani kanë punuar në projekte të ndryshme për ngritjen e vetëdijes në lidhje me shëndetin seksual dhe reproduktiv, projekte inkluzive dhe projekte për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve. Në një bisedë të rastësishme me përfaqësues të „Eko-svest“ kanë ardhur deri te ideja se mbase skenës sonë i nevojitet pikërisht një performacë si “Fludo“.

“Në këtë kontekst, mendojmë se duhet t’i edukojmë fëmijët dhe të rinjtë prej në moshën më të re në lidhje me mbrojtjen jo vetëm të lumenjve, por të çdo gjëje që na rrethon“, thotë ajo.

Bukuria e teatrit me hije, vazhdon Katerina, është se mund të luhet në hapësira të ndryshme dhe edhe në ambient të hapur.

“E bukura e këtij teatri është se teatrin e mbajmë me vete, vendosemi ku të duam, e vetmja gjë që na duhet është të presim të afrohet perëndimi i dielli që të mund të luajmë me hijet“, rrëfen Sekovska.

Në të tre shfaqjet me hije ishin të pranishëm edhe fëmijë të moshave më të ulta, por edhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, si dhe prindër më të rritur. Performanca multimediale e shfaq jetën e Hijes Fludo, shpirti i ujit, i cili me shokët e tij nga bota nënujore robërohet nga dora e njeriut pas ndërtimit të një mini hidrocentrali.

Uji ka nevojë për ne, ka nevojë për shpëtim!“, ishte mesazhi që e përcolli teatri “Hije dhe re“ në shfaqjet e performuara.

“Vitin e fundit punojmë në një teknikë të re e cila në vitet e 60-ta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë një fillim i efekteve vizuale dhe vizualizimit të më shumë evenimenteve dhe koncerteve. Kjo teknikë në fakt është një sfidë e madhe për ne, sepse përzierja e ujit me vaj dhe me ngjyrë, në fakt mospërzierja e ujit dhe vajit, është ajo që na nxiti të mendojmë për lumenjtë e robëruar, për ndotjen e lumenjve dhe të gjithë këtë temë“, sqaron Katerina Sekovska.

Bllagorodna Koceva – Simjanov është një anëtare tjetër e teatrit „Hije dhe re“, e cila ishte e kyçur në procesin artistik të përgatitjes së shfaqjes.

“Mendoj se arsimimi joformal shumë shpesh luan rol themelor edhe në kuptimin e arsimimit formal, gjegjësisht përkundër edukimeve formale arsimimi joformal është një mjet themelor i jetës, i cili me ose pa dashje, na ndodh. Ka shumë mundësi, posaçërisht tek të rinjtë, ku prej një vetëdije më të vogël nëpërmjet artit i cili ofron senzitivitete të llojllojshme vizuale dhe trupore për të rinjtë, secilën temë të mund ta përkapin shumë më thjesht dhe më me besim dhe të krijojnë ndjenje të vërtetë“, thotë ajo.

Në rastin e temës “Lumenj të robëruar“ fëmijët dhe të rinjtë mund të krijojnë një ndjenjë të vërtetë të dashurisë ndaj ujit dhe ta çmojnë atë, sepse do ta  kuptojnë saktë se çfarë domethënie ka ai, thotë Bllagorodna Koceva – Simjanov.

“Fludon“ ne e parafytyrojmë si shpirtin e ujit, e më konkretisht është shpirti i ujit në ndonjë lum të vogël malor, ndonjë përrua, le ta parafytyrojë kush si të dojë, në të cilin jeton mrekullisht me peshq të tjerë dhe me gjallesa të tjera që janë specifike vetëm për atë lum dhe nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër“, e rrëfen Bllagorodna idenë e shfaqjes teatrale, duke shtuar se bëhet fjalë për një formë tjetër të artit të angazhuar social, ku përcillet një koment mbi një ndodhi të caktuar shoqërore.

“Eko-svest“ me fushatë të gjërë kundër lumenjve të robëruar

Përndryshe, shfaqja teatrale “Fludo“ është vetëm një aktivitet nga fushata më e gjerë e “Eko-svest“ për mbrojtjen e lumenjve nga mini hidrocentralet në vend. “Eko-svest“ kah fundi i shtatorit të këtij viti ndërmori iniciativë për fillimin e një mbrojtjeje juridiko-formale të lumit Radika, si lumi i parë në vend për të cilin është kërkuar mbrojtje juridike me ligj për lumenjtë dhe rrjedhat e ujit.

Një muaj më pas, pasi qeveria e Maqedonisë së Veriut e miratoi vendimin për shkëputje me marrëveshje të kontratave për koncesion për ndërtimin e shtatë mini hidrocentraleve në Parkun Nacional “Mali Sharr“, nga “Eko-svest“ kërkuan edhe shkëputjen e kontratave për koncesionet e ndërtimit të mini hidrocentraleve edhe në Parkun Nacional „Mavrovë“, me qëllim mbrojtjen e vërtetë të lumenjve dhe biodiverzitetit të tyre nëpër zonat e mbrojtura.

Pranverën e kaluar nga „Eko-svest“ sqaruan se pikërisht subvencionet që i ndan shteti janë arsyeja qe i tërheq investitorët të investojnë në ndërtimin e mini hidrocentraleve nëpër lumenj.

Teatri “Hije dhe re“ me program të shfaqjeve në vend dhe nëpër botë

Nga performanca e shfaqjes së parë në vitin 2008, teatri “Hije dhe re“ ka shfaqur numër të jashtzakonshëm shfaqjesh me hije, me të cilat janë përfaqësuar para publikut nëpër qytete dhe fshatra të Maqedonisë së Veriut, por kanë qenë mysafirë edhe të festivaleve jashtë vendit, përfshirë këtu festivale në Taubate (Brazil), Moskë (Rusi), Çengdu (Kinë), Sarajevë (BeH).

“Nga shfaqjet që i performojmë për publikun, shumica janë shfaqje për publik në moshë më të re, për fëmijë. Gjithmonë shohim që në përrallë të ketë një pjesë që edhe nëse vijnë prindërit e tyre me ato, të zbaviten po aq sa fëmijët, si “Princi i vogël“, “Lejleku Siljan“, shfaqje që i shkruajmë e që duam të jenë edhe për fëmijë edhe për të rritur”, e sqaron Krume Stefanovski punën e deritanishme të teatrit “Hije dhe re“.

Katerina Sekovska shton se në pesë vitet e fundit  teatri „Hije dhe re“ punon në një hapësirë të marrë me qira në lagjen “Debar Maallo”, si një teatër i vogël me kapacitet prej 30 ulësesh. Gjatë muajit nëntor e kishin premierën e shfaqjes për fëmijë “Xhindi i vogël“, ndërsa në repertor deri në Vitin e Ri do të performojnë edhe disa shfaqje të tjera.

Nga Teatri “Hije dhe re“ porosisin se janë të hapur për bashkëpunim me artistë të cilët kanë nevojë për hapësirë që t’i shfaqin idetë e tyre kreative para publikut, duke bërë me dije se gjatë pesë viteve të fundit kanë qenë nikoqirë të evenimenteve të formateve të ndryshme – nga shfaqjet teatrale, koncerte e deri në promovime librash.

Të fundit