18/04/2024
5.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Me rastin e një vjetorit të agresionit rus, ukrainasit në vend do të vendosin lule para përmendores së Taras Shevçenkos në Shkup

Me rastin e një vjetorit nga fillimi i agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, ukrainasit në vend do ta shënojnë përvjetorin duke vendosur lule, transmeton Portalb.mk.

Shoqata e ukrainasve “Lesya Ukrainka” sot me fillim nga ora 12:00 do të organizojë tubim në sheshin “Maqedonia”. Pjesëmarrësit e tubimit do të shkojnë nga sheshi në Parkun e Gruas, ku do të vendosin lule para monumentit të Taras Shevçenkos.

Me rastin e përvjetorit, në Shtëpinë e ARM-së në Shkup do të mbahet konferencë me titull “Ukraina – vit i heroizmit”, në organizim të OJQ-së Civil.

Është paralajmëruar pjesëmarrja e: kryetarit të shtetit Stevo Pendarovski; kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi; ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, Larisa Dir; Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq; ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska; si dhe ambasadorë dhe diplomatë të disa vendeve nga Evropa, SHBA dhe Japonia, ekspertë, analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Veprimtaria përfshin gjithashtu një shfaqje të një filmi të shkurtër, një ekspozitë fotografike dhe promovimin e një libri për Ukrainën.

Kujtojmë se në vitin 2021, Putin filloi të vendoste një numër të madh trupash ruse afër kufijve të Ukrainës. Për muaj të tërë Putini e kishte mohuar se do të pushtonte fqinjin e tij. Duke shpallur pushtimin më 24 shkurt 2022, ai akuzoi NATO-n se po kërcënonte “të ardhmen historike të Rusisë si komb”.

SHBA kishte paralajmëruar partnerët e saj evropianë se manovrat ushtarake në kufijtë e Rusisë ishin në përputhje me përgatitjet për një sulm ndaj Ukrainës, por, deri në këtë ditë të vitit të kaluar, pakkush besonte se Rusia mund të fillonte me të vërtetë pushtimin që bëri.

Megjithatë, ndoshta po aq pak menduan se Ukraina do të ishte në gjendje të rezistonte për kaq kohë.

Të fundit