16/04/2024
14.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Më shumë të infektuar të rinj në Shkup dhe Tetovë, pritet vendim qeveritar për orën policore

Qeveria sot duhet të vendos për propozimin e parashtruar nga Komisioni për sëmundje infektive për orën policore gjatë fundjavës, e cila është vazhduar me dy festa , të fillojë të shtunën në ora 19:00 dhe të përfundojë të martën në orën 05:00.

Arsyeja, siç sqaroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ka të bëjë me mosrespektimin e masave nga ana e disa qytetarëve, ndërsa rritja e numrit të infektuarve të rinj me Kovid-19 është për shkak të ngjarjeve dhe tubimeve familjare që kanë ndodhur ditëve të fundit. Kompetentët konsiderojnë se me masën e tillë rigoroze do të arrihet efekt i vërtetë.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, mbrëmë ishte mysafir në emisionin në TV 24 dhe u shpreh se kundrejt vendimit të Qeverisë se çfarë orë policore do të ketë gjatë fundjavës, tha se lehtësimi i masave është në proporcion të drejtpërdrejtë me respektimin e rekomandimeve.

“Po bëhen konsultime, deri më tani janë respektuar rekomandimet, ne i ndjekim mendimet e ekspertëve. Do të duhet të shkojmë drejt lehtësimit të masave, por kjo do të thotë respektim të masave tjera jo restriktive. Por, ato masa nuk respektohen, nuk mbahen maska, nuk respektohet distanca. Nëse dëshirojmë të kemi zvogëlim të masave, duhet të respektohen rekomandimet”, ka thënë Mançevski

Në prag të festës së madhe myslimane, Fitër Bajrami, Bashkësia Fetare Islame (BFI) përmes një kumtese informoi për serinë e masave të sjella që duhet të zbatohen në çdo xhami më 24 maj për shkak të faljes së namazit të Fitër Bajramit.

Në profilin e tij në Fejsbuk Reis- ul-Ulema i BFI-së së RMV, H. Sulejman ef. Rexhepi shkruan se namazin e Sabahut (lutje e mëngjesit) është vendosur që besimtarët ta bëjnë në shtëpi, gjegjësisht apelon më shumë të përdoren oborret e xhamive për bërjen e lutjeve. Një pjesë të masave që besimtarët e besimit islam do të duhet t’i respektojnë gjatë namazit të Fitër Bajramit, BFI i ka miratuar më 7 maj, kur vendosi t’i hapë xhamitë pas një pushimi dymujor.

“Falja e namazit të Fitër Bajramit nuk duhet të jetë më e gjatë se 15 minuta, maksimalisht të shmangen përshëndetjet me kontakte fizike, të anashkalohet vizita në varreza, gjatë Fitër Bajramit, vizitat tradicionale duhet të jenë sa më pak të jetë e mundur, dezinfektimi i xhamive, mbajtja e detyrueshme e maskës, pastrimi i duarve me dezinfektues në hyrje të xhamisë ose mbajtja e dorezave, çdo besimtar duhet të ketë sexhade personale”, thuhet në vendimin e BFI-së.

Në të njëjtën kohë, theksuan se distanca fizike midis besimtarëve duhet të ruhet sa më shumë që të jetë e mundur, do me thënë është i ndaluar qëndrimi në grupe para ose pas faljeve të namazeve në xhami.

Për shkak të situatës aktuale me koronavirusin, Rijaseti i BFI-së e ka anuluar organizimin e Manifestimit qendror tradicional të faljes së Fitër Bajramit.

Sipas kumtesës së Ministrisë së Shëndetësisë në konkludim me ditën e djeshme, janë bërë 549 testime me ç’rast janë regjistruar 40 raste të reja me KOVID-19, ka vdekur një pacient nga Prilepi i cili është mjekuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup nga 12 maji, ndërsa janë shëruar 11 pacientë: në Shkup dy, në Shtip një, në Prilep katër, në Veles dy dhe në Koçani dy.

Nga 40 rastet e reja të regjistruara me KOVID-19, 26 janë në Shkup, një në Kumanovë, Prilep, Veles dhe Manastir, si dhe dhjetë në Tetovë.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara me Kovid-19 në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 1.898, numri i pacientëve të shëruar është 1,378, numri i vdekjeve është 111, ndërsa aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 409.

Në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në 24 orët e kaluara janë pranuar 7 pacientë të rinj, të hospitalizuar janë gjithsej 49 pacientë. Në aparat me oksigjen janë 19, në ventilim mekanik janë dy pacientë.

Në SPQ “8 Shtatori” janë pranuar 12 pacientë të rinj, ndërsa gjithsej 25 pacientë janë hospitalizuar, në respiratorë janë 3 pacientë, ndërsa me pasqyrë më të rëndë klinike janë edhe dy pacientë.

Në spitalin në Manastir janë hospitalizuar shtatë, ndërsa në mjekim shtëpiak po ndiqen edhe tre pacientë. Në spitalin në Shtip janë hospitalizuar pesë pacientë, ndërsa nuk ka pacientë në mjekim shtëpiak. Në sektoret infektive në Tetovë, Veles, Kumanovë, Ohër dhe Prilep janë hospitalizuar 45 pacientë, pozitivë dhe të dyshimtë në Kovid-19. fb/

Të fundit