23/04/2024
7.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Megjithë pandeminë, zgjedhjet në Evropë dhe në Ballkan nuk ndalojnë

Proceset zgjedhore janë ndër proceset e prekura nga pandemia e Kovid-19. Drejtuesit evropianë po merren me një situatë të re, zgjedhjet e planifikuara para pandemisë – zgjedhjet lokale, rajonale, parlamentare, presidenciale, referendumet, por korona ka ndaluar funksionimin e përgjithshëm të shoqërive deri më tani dhe është vënë në dyshim mbajtja e proceseve të votimit në situatën e re.

Qeveritë, partitë politike, elektorati në vendet evropiane janë të qarta se shëndeti i qytetarëve është parësor dhe përqendrimi është në luftën kundër Kovid-19, veçanërisht pasi që në balafaqimin me virusin duhet të respektohet distanca fizike. Të gjitha qeveritë, edhe ato, afatet e të cilave kanë kaluar, janë të përqendruara në menaxhimin e krizës me koronën. Sidoqoftë, shumë vende evropiane po përballen me çështje serioze politike, kjo është arsyeja pse zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur, kur epidemia ta lejojë mbajtjen e tyre .

Maqedonia e Veriut është në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të saj të dhjeta parlamentare që nga pavarësia, të cilat u shtynë për shkak të pandemisë me Kovid-19. Shteti nuk ka parlament funksionues dhe as qeveri politike. Qeveria e dytë “e Përzhinës” këtë herë mbeti për më shumë se njëqind ditë për shkak të krizës së koronës. Zgjedhjet parlamentare janë caktuar për më 12 prill dhe janë shtyrë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme dhe përhapjes së Kovid -19. Procesi i zgjedhjeve u ndërpre më 22 mars me konkluzionin e sjellë nga KSHZ-ja dhe pas dekretit me fuqi juridike të miratuar nga Qeveria.

Partitë pjesëmarrëse në takimin e liderëve me Presidentin Stevo Pendarovski, të mbajtur të marten, nuk u pajtuan për një datë dhe në fillim të javës tjetër do të ketë një takim të ri liderësh, për të cilin dje kreu i LSDM-së Zoran Zaev shprehu besim se do të përfundojë me një datë të harmonizuar për zgjedhjet.

“Shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha, askush nuk po nxiton të shkojë në votime dhe nuk dëshiron të shkojë menjëherë në votime, por duhet marrë parasysh fakti që kriza me korona-virusin po kalon dhe vendi nuk ka parlament funksionues, nuk ka qeveri politike e cila duhet të marrë përgjegjësinë, tha Zaev dje në një intervistë për “Telmën”, duke theksuar se ne jemi i vetmi vend evropian që aktualisht nuk ka një Parlament funksional dhe shtoi se zgjedhjet do të mund të mbaheshin për dyzet ditë, në gjysmën e dytë të qershorit.

Vendi është në gjendje të jashtëzakonshme. Gjendja e dytë e jashtëzakonshme 30-ditore përfundon të Shtunën (16 maj) dhe qeveria nuk ka vendosur ende nëse do ta zgjasë atë.

Ditët e fundit, shifrat nga autoritetet shëndetësore tregojnë për një intensitet të zvogëluar të sëmundjes, dhe lehtësimi i masave kufizuese ka filluar. Instituti i Shëndetit Publik regjistroi dje 24 pacientë të rikuperuar, tre vdekje nga Kovid-19 dje dhe 20 raste të reja u konfirmuan nga 309 teste.

Sa i përket votimit, lideri i LSDM-së dje tha se në kushte përderisa ekziston akoma prania e koronavirusit, votimi nuk do të ndryshojë shumë sepse, siç përmendi, gjithmonë është praktikuar vëmendje që në vendvotim të mos ketë grupi dhe të respektohet radha.

“Në vendvotime edhe në rrethana normale, pra pa një situatë të tillë si me koronavirusin, nuk na lejohet të hyjmë derisa ata që votojnë të dalin ose të grupohen në korridore, sepse është e mundur të ndikosh tek votuesit. Edhe këtë herë do të jetë kështu. Do të dihet distancën e përcaktuar nga 1.5 në dy metra që duhet respektuar sipas komisionit shëndetësor dhe mbajtja e maskave, etj. Hyni, jepni kartën e identitetit në në distancë, gjatë identifikimit do të hiqet maska, pastaj vendoset maska dhe bëhen veprimet standard. Bëhet dezinfektimi në hyrje dhe në dalje dhe nëse nevojitet që shteti të blejë stilolapsa, do ta bëjë këtë, do të blejë një milion e 800 mijë stilolapsa, që kushton rreth 150,000 euro”, tha Zaev në emisionin në TV Telma.

Ai theksoi se përveç votuesve edhe bordi zgjedhor duhet të jetë i mbrojtur dhe se pret që Komisioni i Shëndetësisë të deklarojë se si do të zbatohej e gjithë kjo.

Zgjedhje në Serbi do të ketë më 21 qershor, në të njëjtën datë do të jetë edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Francë

Evropa, e cila, ashtu si pjesa tjetër e botës, është duke luftuar me pandeminë e Kovid-19, gjithashtu po përballet me situata që lidhen me proceset elektorale, referendumet dhe frikën për shëndetin e qytetarëve të saj…

Në Serbi, e cila hapi kufijtë e saj një ditë më parë, Kuvendi kishte miratuar më parë një vendim për të hequr gjendjen e jashtëzakonshme dhe se procesi zgjedhor do të vazhdonte, së bashku me fushatën zgjedhore dhe se qytetarët serbë do të shkonin në votime më 21 qershor.

Në seancën e Kuvendit Kombëtar, Kryeministrja Ana Bërnabiq tha se kushti për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme ishte që “për më shumë se shtatë ditë, të ketë më pak se 5 për qind të të infektuarve për sa i përket numrit të njerëzve të testuar”. Bërnabiq tha se ky kusht ishte përmbushur dhe se deri më 28 prill ajo përqindje ishte nën pesë për qind dhe se ishin përmbushur gjashtë kritere të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Votuesit në Francë shkuan në votime në 15 mars pasi qeveria vendosi t’i mbajë ato pavarësisht përhapjes së shpejtë të koronavirusit të vendit në atë kohë. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Francë është shtyrë. Rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve mbeten të vlefshme. Raundi i dytë është caktuar për më 21 qershor.

Komisioni Zgjedhor në Mbretërinë e Bashkuar i ka rekomanduar Parlamentit që zgjedhjet për kryetarë bashkie në Londër, kuvendit në Londër, zgjedhjet lokale në Angli dhe në Uells dhe zgjedhjet për policinë dhe komisarët rajonalë të planifikuar për më 7 maj 2020, të shtyhen me qëllim që të ruhet distance fizike gjatë fushatës zgjedhore. Bazuar në këtë këshillë, qeveria britanike miratoi legjislacionin për shtyrjen e zgjedhjeve deri në 6 maj 2021.

Në Poloni, zgjedhjet presidenciale të planifikuara për më 10 maj, janë shtyrë. Partitë ranë dakord, megjithatë, të zhvillojnë votimi me postë, por rezultatet do të jenë të pavlefshme dhe zgjedhjet do të mbahen rregullisht në korrik ose gusht.

Italia kishte planifikuar të zhvillojë një referendum kushtetues më 29 mars për të lejuar votuesit të vendosin nëse do të zvogëlojnë numrin e deputetëve. Referendumi është shtyrë dhe nuk është caktuar asnjë datë për mbajtjen e tij.

Gjermania mbajti zgjedhjet rajonale më 15 mars. Rajoni jugor i Bavarisë, rajoni i dytë më i prekur në vend nga virusi, mbajti zgjedhjet më 15 mars. Kancelarja Angela Merkel nuk njoftoi “masa radikale” në nivelin kombëtar deri ditën tjetër. Njerëzit e përfshirë në organizimin e zgjedhjeve mbanin doreza, dhe votuesve u lejohej të mbanin lapsat e tyre. Pjesëmarrja ishte më e lartë sesa në zgjedhjet e fundit gjashtë vjet më parë, megjithëse zyrtarët regjistruan një numër më të madh të votave përmes postës kësaj here.

Në Evropë në horizont janë edhe zgjedhje të tjera, Islanda ka zgjedhje presidenciale në qershor, në Francë në shtator duhet të mbahen zgjedhje e Senatit. Zgjedhjet janë caktuar për në tetor në Austri, Bosnjë e Hercegovinë,në Republikën Çeke, Gjeorgji, Lituani, Moldavi, Mal të Zi dhe në Ukrainë. mp/

Të fundit