20/04/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Memedi: Deputetët nga radhët e VMRO-DPMNE-së kërkonin ‘qetësi’, që të dëgjohet Ibrahimi duke kënduar himnin shqiptar

Kryetari i RDK-së, Vesel Memedi sot në Gjykatën Penale të Shkupit dëshmoi për organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit.

Memedi dëshmoi për momentin kur atë ditë, deputeti nga radhët e Lëvizjes Besa, Zaqirija Ibrahimi e këndonte himnin shqiptar nga foltorja e seancën plenare në Kuvend.

“Mbaj mend se Krsto Mukoski u paraqit të flasë në foltore dhe e këndonte himnin maqedonas. Menjëherë pasi e këndoi, pash se Xhevat Ademi dhe Artan Grubi, që ishin para meje, u paraqitën ta marrin fjalën dhe e pash se deputeti Zeqirija Ibrahimi, në të djathtën time u paraqit pas tyre. Pasi përfundoi me himnin Mukoskii, kryesuesi Trajko Veljanovski i dha fjalën Ibrahimit, edhe pse të tjerët u paraqitën para tij. E mbaj mend se Xhevat Ademi reagoi pse i ka dhënë fjalë Ibrahimit kur ai ishte paraqitur para tij”, tha Memedi.

Sipas Vesel Memedit, bëhet fjalë për skenar të organizuar për dy arsye. E para ka qenë për shkak se i është dhënë përparësi deputetit Ibrahimi dhe e dyta është sjellja e deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

“Deputetët nga radhët e VMRO-DPMNE-së kërkonin ‘qetësi’. Dimitar Stevanxhija u çua dhe u tha kolegëve ‘qetësi, qetësi’. Mendoj se qetësia kërkohej që të dëgjohet himni shqiptar ku u protestua dhe përcjelleshte se çfarë po ndodh brenda. Dhe sot pas tre viteve, dhe pas 15 viteve nëse më pyesni do ta them të njëjtën, se ishte skenar i organizuar”, tha Memedi.

Memedi tha se Stevanxhija ka kërkuar qetësi në momentin kur është nisur të këndohet himni shqiptar në foltoren e Kuvendit nga deputeti Zeqirija Ibrahimi./Telegrafi/

Të fundit