19/04/2024
7.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Merkel: Evropa të marrë më shumë përgjegjësi në botë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel kërkoi Evropa të marrë përgjegjësi më të madhe në botë dhe shprehu keqardhje që marrëdhëniet me SHBA-në janë të ndryshme, veçanërisht për çështjet mjedisore.

“Ne duhet të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme për t’u ballafaquar sfidën e jashtëzakonshme (koronavirusin e ri), por dua edhe më shumë, dua që Bashkimi Evropian, veçanërisht në kohë krize, të tregojë solidaritet botëror dhe të marrë më shumë përgjegjësi,” tha Merkel në fjalimin e mbrëmshëm para Fondacionit Konard Adenauer.

Gjermania me 1 korrik e mori përsipër presidencën e BE-së ndërsa Merkel, e cila paralajmëroi largim nga funksioni në vitin 2021, para Fondacionit i prezantoi udhëzimet kryesore të BE-së deri në fund të vitit, gjatë krizës shëndetësore, ekonomike dhe sociale.

“Pandemia do të çojë në intensifikimin e konflikteve dhe problemeve ekzistuese në shumë vende, që është një sfidë për aftësinë e BE-së për të vepruar në çështjet e politikës së jashtme dhe të brendshme. Kjo është një arsye më shumë për t’i mbrojtur vlerat e BE-së – solidaritetin, demokracinë, lirinë, mbrojtjen e dinjitetit të çdo qenieje njerëzore”, theksoi Merkel.

Ajo shtoi se Evropa mund të dalë më e fortë nga kriza.

Merkel theksoi gjithashtu se partneri më i rëndësishëm i Evropës është SHBA-ja por që ky partneritet është i ndryshëm nga ajo që dëshiron BE-ja, veçanërisht për çështjet mjedisore.

Ajo vlerësoi se edhe BE ka “interes strategjik” për të biseduar me Kinën, pavarësisht mosmarrëveshjeve për Hong Kongun, ku duhet të ruhej parimi “Një vend, dy sisteme”.

Kancelarja gjermane gjithashtu iu referua marrëdhënieve të BE-së me Rusinë, duke e akuzuar Moskën për mbështetjen e regjimeve të kukullave në Ukrainën lindore dhe sulmimin e demokracive perëndimore, përfshirë Gjermaninë, me mjete hibride.

Ajo theksoi se “në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk zbatohet ligji i më të fortit, por forca e ligjit”. ls/ab/

Të fundit