19/04/2024
3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ministri i Kulturës Ismaili realizoi takim me ambasadorin bullgar në vendin tonë, Angell Angellov

Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, sot realizoi takim pune me ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Angell Angellov. Bashkëbiseduesit në takim konstatuan se lidhjet kulturore ndërmjet të dyja vendeve fqinje kanë karakter tradicional dhe rregullohen me Marrëveshjen për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet qeverive të të dyja vendeve nga muaji maj i vitit 2000 dhe me programet ndërmjet ministrive të Kulturës, të cilat nënshkruhen çdo tre vjet. U theksua se nënshkrimi i programit të ri i cili e përfshin periudhën deri në vitin 2021 do të jap shtysë të re në thellimin e lidhjeve kulturore ndërmjet të dyja vendeve.

Përndryshe, bashkëpunimi kulturor ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë zhvillohet në të gjitha veprimtaritë e kulturës: në skenën muzikore me shkëmbimin e grupeve muzikore, ansambleve folklorike, në veprimtarinë teatrore me pjesëmarrje të ndërsjellë si mysafir, në veprimtarinë botuese me përkthimin e veprave të autorëve maqedonas dhe bullgarë, si dhe me prezantimin e krijimtarisë letrare maqedonase në panairet e librave në Shkup dhe Sofje.

Artistët bullgarë performojnë rregullisht para audiencës maqedonase me shfaqje në manifestimet tradicionale ndërkombëtare, siç janë: Festivali i Verës së Ohrit, Mbrëmjet Strugane të Poezisë, Festivali Ballkanik i Folklorit, Mbrëmjet e Operës së Majit, Festivali Ndërkombëtar Folklorik Studentor në Shkup, etj. Vlen të përmendet bashkëpunimi i Teatrit Kombëtar të Maqedonisë me regjisorin bullgar, Aleksandar Morfov, ndërsa çdo vjet poetët bullgarë marrin pjesë edhe në manifestimin e Mbrëmjeve Strugane të Poezisë.

Në takim u theksua se në kuadër të Konkursit për financimin e përkthimeve të veprave përfaqësuese dhe cilësore të letërsisë maqedonase në gjuhë të tjera, u mbështetën mbi 20 përkthime nga gjuha maqedonase në gjuhën bullgare të disa veprave nga disa autorë, në mesin e të cilëve: Kiro Donev, Ante Popovski, Frosina Parmakovska, Davor Stojanovski, Dushko Rodev, Goce Smilevski, Vllada Urosheviq dhe të tjerë.

Në vitet e kaluara ka pasur pjesëmarrje të konsiderueshme të artistëve bullgarë me prezantime të pavarura dhe grupore në manifestimet dhe kolonitë e artit të cilat organizohen te ne, si dhe prezantimet e ndërsjella të artistëve reproduktivë maqedonas. Të dyja vendet deri më tani kanë vendosur bashkëpunim të shkëlqyeshëm edhe në fushën e filmit në pjesën e bashkëproduksioneve të filmave nëpërmjet parimit të reciprocitetit.

Në takim u nënvizua se ekziston edhe një bashkëpunim i shkëlqyeshëm në planin multilateral, respektivisht se të dyja vendet janë anëtare të Fondacionit Ndërkombëtar “Forumi i Kulturave Sllave”, në Këshillin e Ministrave të Evropës Juglindore dhe zbatojnë projekte të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit me UNESKO-n.

Me respekt,

Ministria e Kulturës

Të fundit