24/04/2024
8.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Misioni i OSBE-së në Shkup filloi fushatën kundër thashethemeve që i diskriminojnë gratë në shoqëri

Me sloganin ‘Çdo Grua Është E Vlefshme’ mbrëmë u shënua fillimi i fushatës kombëtare “Fortë kundër thashethemeve”. Kjo fushatë, e mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Shkup synon të rrisë vetëdijen për ndikimin e dëmshëm të përhapjes së “thashethemeve” që shpien në stereotipe gjinore dhe paragjykime për gratë në shoqërinë tonë.

Fushata “Fortë kundër thashethemeve” është nxitur nga nevoja për t’i dhënë fund stigmatizimit të grave në shoqëri bazuar në tregime dhe besime plot informata të pavërtetuara, dyshime dhe gënjeshtra.

Në evenimentin e mbrëmshëm morën pjesë mysafirë nga sfera të ndryshme, mbështetës të fushatës, si dhe pjesëmarrësit aktiv, gjegjësisht gra dhe vajza, historitë frymëzuese të të cilave janë pjesë e një sërë aktivitetesh, kurse fjalim zyrtar kishte Ambasadori Klemens Koja, Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup.

“Barazia gjinore dhe lufta kundër thashethemeve, stereotipeve dhe paragjykimeve që inkurajojnë dhe forcojnë pabarazitë gjinore nuk janë çështje që shqetësojnë vetëm gratë, por kjo ka të bëjë me shoqërinë në tërësi. Prandaj i ftoj të gjithë burrat dhe djemtë që plotësisht të angazhohen dhe të marrin përgjegjësi të përbashkët për arritjen e barazisë gjinore”, theksoi ambasadori Koja.

Në evenimentin u promovuan histori frymëzuese të grave që paraqesin shembull pozitiv në ballafaqimin me këtë fenomen negativ shoqëror – znj. Martina Dimoska, znj. Gëzime Fejzi, znj. Iskra Doneva dhe znj. Fatma Bajram Azemovska. Guximi dhe përvojat e tyre personale ishin temë e 4 videove të shkurtra në të cilat ata ndanë përballjet e tyre me thashethemet, si dhe mënyrat e tyre të suksesshme për t’u marrë me ta dhe vendosmërinë për të realizuar potencialin e tyre intelektual.

Fushata, të cilën e realizon agjencia e marketingut Futura 2/2, vazhdon me aktivitete të ndryshme që do të realizohen në nivel kombëtar dhe do të përfshijë kanale të ndryshme të komunikimit: media sociale dhe digjitale, ngjarje dhe debate publike, me qëllim që të arrihet te palët e interesuara dhe në mënyrë edukative të ndikojë te pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në këtë fenomen negativ shoqëror.

Të fundit