23/04/2024
6.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mjekët në Itali po zgjedhin cilët pacientë do të mjekojnë, kërkojnë iPad-ë për lamtumira

Një infermier në Itali ka thënë për Euronews se mjekët kanë aq shumë raste, sa janë detyruar që pajisjet t’i përdorin vetëm për pacientët që kanë më shumë gjasa të shpëtohen e t’i lënë të tjerët të vdesin.

Mauro D’Ambrosio, i cili punon te spitali Fatebenefratelli në Milano, tha se pacientët e prekur qëndrojnë më shumë se 15 ditë në terapi intensive, ndërkohë që kjo kohë për të tjerët është 5 deri në 6 ditë.

“Nëse e kuptojmë që një pacient është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk ka më gjasa për të mbijetuar, atë shtrat duhet t’ia japim dikujt që mund të mbijetojë. Kjo është një zgjedhje që edhe pse nuk mund të pranohet lehtë nga ana etike, nga ana klinike të jep mundësinë që të ketë më shumë të mbijetuar”, thotë ai për Euronews.

Një tjetër infermiere që punon në Lombradi, rajonin më të prekur të Italisë, tha për Euronews se situata mbetet edhe më e rëndë se ç’është raportuar në media.

“Kemi me qindra raste në spitalin tonë. Gjysma e gjithë kapacitetit u është përkushtuar pacietnëve me COVID-19. Situata është shumë e rëndë. Specialistët e narkozës duhet të zgjedhin se kujt dot ‘ia vendosin makinën e ventilimit, dhe se cilët duhet t’i lënë që të vdesin”, tha ajo.

Italia ka 1016 të vdekur, ndërkohë që në të gjithë vendin janë kufizuar lëvizjet dhe janë mbyllur shkollat.

Sikur bie çdo ditë nga një tërmet

Sistemi shëndetësor në Itali është i bllokuar, dhe stafi mjekësor thotë se kushtet janë tepër kaotike, me spitalet që kanë shumë më pak mjete se ç’u nevojiten realisht.

Një mjek 60-vjeçar, Roberto Kosentini, tha për gazetën italiane “La Repubblica” se në spitalin e tij vijnë çdo ditë 60 deri në 80 persona të infektuar.

“Nëse nuk ulet vala, sistemi do të shkojë drejt diçkaje që mund të krahasohet me një katastrofë natyrale”, tha ai.

Kristian Salaroi, një ekspert narkoze në spitalin e Bergamos, tha për “Corriere” se çdo ditë vijnë aq shumë njerëz sa duket sikur po bie çdo ditë tërmet fatal, sikur jemi në luftë.

“Mbijetesa varet vetëm nga mosha”, tregojnë mjekët italianë, “Nëse një person është nga mosha 80 deri në 95 vjeç dhe fillon të ketë probleme me frymëmarrjen, gjasat janë që të mos veprojmë. Nëse ka probleme me më shumë se tre organe jetike, do të thotë që ka 100% shanse që të vdesë. Quhet i vdekur. Është fjali e tmerrshme për të thënë, por e vërtetë. Nuk jemi në kushte për të provuar të bëjmë mrekulli”.

Tableta dhe iPad-ë që të mos vdesin vetëm

Pacientëve të cilët lihen që të vdesin për shkak të përkeqësmit, u jepet nga një tabletë që të lidhen me të dashurit e tyre.

“Pacientët me coronavirus shkojnë vetë te dhoma e urgjencës. Nuk lejohen t’u afrohen të afërmit. Kur u vjen ora e vdekjes, ata nisin ta kuptojnë. Janë të kthjellët. Nuk futen në narkolepsi. Është sikur po mbyten në ujë, por për një kohë aq të gjatë sa ta kuptojnë se çfarë po ndodh”, përshkruan një nga mjekët.

Ai tregon rastin e një gjysheje që donte të fliste me mbesën.

“I dhamë tabletën dhe ajo u lidh me mbesën në video. U përshëndetën. Ajo vdiq menjëherë pas videofonatës. Kemi një listë të madhe me videofonata lamtumire. Shpresoj të na japin i-Pad-ë që të mos i lëmë të vdesin vetëm.”

Kishat në Bergamo, zonën më të prekur, janë kthyer në morgje me nga 40 arkivole njëherësh, ndërsa krematoriumi ku digjen trupat ka nisur të punojë 24 orë në ditë, me urdhër nga bashkia.

Por edhe këto masa nuk mjaftojnë për shifrat e larta të të vdekurve që ka pasur Italia, mbi 150 në ditë.

Të fundit