19/04/2024
5.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

MMJPH: Në vazhdimësi po mbikëqyret gjendja me Liqenin e Prespës, javën e ardhshme takim koordinativ

Gjendja e Liqenit të Prespës po mbikëqyret vazhdimisht dhe po ndërmerren aktivitete brenda kompetencave, informon Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e cila paralajmëron se javën e ardhshme do të organizojë një takim tematik koordinativ në nivel kombëtar, ku do të mblidhen përfaqësues nga komuniteti shkencor, gjegjësisht këshilli shkencor i krijuar për të zbatuar Planin e menaxhimit të pellgut të Liqenit të Prespës.

Nga Ministria njoftojnë se në takimin do të marrin pjesë përfaqësues nga komuniteti shkencor, gjegjësisht këshilli shkencor i krijuar për të zbatuar Planin e menaxhimit të pellgut të Liqenit të Prespës, komuna e Resnjës, Drejtoria për punë hidrometeorologjike, MMJPH , organizatat qytetare aktive në rajon dhe të gjithë palët e interesuara për zbatimin e Planit, për të diskutuar për aktivitetet aktuale dhe mundësitë për të përmirësuar zbatimin e masave në bazë të Planit. Qëllimi është që sa më shpejt që të jetë e mundur të bëhet një analizë fillestare e ekspertëve për shkaqet e situatës dhe hapat e ardhshëm për të mbikëqyrë dhe menaxhuar më mirë nivelin e ujit të Liqenit të Prespës.

Nga Ministria theksojnë se duke pasur parasysh karakterin tejkufitar të menaxhimit të Liqenit të Prespës për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike dhe pas ratifikimit të marrëveshjes tripalëshe siç është “Marrëveshja e mbrojtjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit të Parkut të Prespës” nga shteti i fundit nënshkrues-Greqia në vitin 2019, me ç’rast e njëjta hyri në fuqi, Ministria u zotua se do të fillojë procesin e krijimit të një Komiteti për menaxhimin e Parkut të Prespës dhe është në proces të sigurimit të nominimeve nga shtetet anëtare: Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Greqia.

Ndërkohë, duke shfrytëzuar bashkëpunimin tashmë të vendosur ndërkombëtar në nivelin e ekspertëve në kuadër të projektit për të mundësuar bashkëpunimin ndërkufitar dhe menaxhimin e integruar të burimeve ujore në basenin e zgjeruar të Drinit, Sektori i menaxhimit të ujërave në MMJPH inicioi një takim të jashtëzakonshëm të ekspertëve kombëtarë të grupit të Drinit për të rishikuar situatën dhe të shkëmbejnë njohuri dhe pikëpamje mbi mënyrat për të tejkaluar urgjentisht gjendjen aktuale me uljen e nivelit të ujit në Liqenin e Prespës. MIA.bsh/

Të fundit