18/04/2024
3.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Naser Zyberi: Maqedonia është e pjekur për kushte të barabarta, pa qenë e rëndësishme përkatësia etnike

Unë mund të jem një amalgam që do t’i afrojë dhe nuk do t’i largojë qëndrimet e partive politike dhe të bëhem mundësi për perspektivë të qytetarëve, me këto fjalë Naser Ziberi, kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim për kryeministër e kërkoi përkrahjen e gostivarasve.

Ziberi në kuadër të fushatës, sot gjatë vizitës së tij në Gostivar, realizoi më shumë takime me qytetarët, afaristët dhe sipërmarrësit, të cilëve ua prezantoi iniciativën për ekonomi të barabartë në sektorin privat.

Ai gjatë bisedave e elaboroi kandidaturën e tij, për të cilën tha se ajo bazohet në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

“Qëllimi i kandidaturës sime për kryetar të qeverisë është që të dërgohet porosi se Maqedonia e Veriut tani është e pjekur që të krijojë kushte të barabarta për garë, qoftë në planin politik, ekonomik, social ose tjetër. Me këtë rast, përkatësia etnike të mos jetë kriteri kyç ose i vetmi, me të cilin dikujt do t’i jepet mundësi që të shkojë përpara”, tha Ziberi.

“Dua të prezantohem si kandidat, i cili ofron perspektivë më të mirë, alternativë më të mirë dhe prosperitet për të gjithë. Besoj në vetveten, besoj në subjektin që më përkrah në qëndrimet e tilla, se mund të bëhem një amalgam, i cili do t’i afrojë dhe nuk do t’i largojë qëndrimet e partive politike dhe të bëhem mundësi për perspektivë të qytetarëve”, tha Ziberi.

Ai gjatë takimeve, ishte i shoqëruar nga kandidatët për deputetë nga lista e BDI-së për NJZ 6, Arta Bilali Zendeli, Vjollca Latifi Ademi dhe Hasim Deari.

Të fundit