19/04/2024
8.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ndërroi jetë veterani i gazetarisë Menduh Ajdini

Ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare, Menduh Ajdini, një ndër figurat më të shquara të plejadës së pare të gazetarëve shqiptarë në Maqedoni. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e të ndjerit.

Ka lindur më 1939 në fshatin Orashë të Tetovës, ku ndoqi shkollimin fillor dhe atë të mesëm ndërsa fakultetin e drejtësisë e mbaroi në Shkup. Ka lënë gjurmë të pashlyera në lëmin e gazetarisë në gjuhën shqipe në Maqedoni e veçmas në gazetën e asaj kohe ‘Flaka e Vëllazërimit’ dhe në Televizionin e Shkupit, redaksinë shqipe të të cilit e drejtoi me sukses për disa vjet. Do të mbahet mend si njeri e gazetar të cilin nuk e luhatën kurrë furtunat politike. Menduh Ajdini në cilësinë e kryeredaktorit të redaksisë shqipe të TV Shkupit, në fillim të viteve 80-të të shekullit të kaluar, iu kundërvu politikës së atëhershme, që u vlerësua si antishqiptare, e që kërkonte imponimin e topononimeve maqedonase të emrave të fshatrave e qyteteve të Maqedonisë në gjuhën shqipe.

Menduh Ajdinin e diferencuan dhe larguan nga puna kur nuk pranoi që Shkupit t’i thuhet Skopje e Manastirit – Bitola, Tetovës- Tetovo, Kërçovës – Kiçevo apo Ohrit – Ohrid. ‘Vizioni i tij për të parë sa më shumë fjalën shqipe në TVM, u bë realitet pak kohë më parë. TVM 2 tani flet 24 orë në shqip, falë edhe vizionit të Menduh Ajdinit dhe të gjithë redaktorëve e gazetarëve që kanë drejtuar këtë program,’- theksohet në njoftimin e TVM2. Menduh Ajdini u varros në varrezat e Butelit në Shkup.

Të fundit