19/04/2024
7.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ndërtesa 1-shekullore, muze unik i Kosovës

Kosovës po i shtohet një muze unik. Bëhet fjalë për Hidroelektranën, ndërtesë në qytetin e Prizrenit, e cila ka pothuaj 100 vjet jetë.

Lajmin për muzeun e bëri të ditur në rrjetet sociale, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

“Ajo që dikur shënonte frymë modernizimi në arkitekturë dhe moment elektrifikimi e zhvillimi industrial për qytetin, sot është në fazën e fundit të restaurimit”, është shprehur ministri Çeku.

Menjëherë pas ndërhyrjeve konservuese fillojnë veprimet për funksionalizimin e muzeut të Hidroelektranës.

Historia e Hidroelektranës është e lidhur ngushtë me historinë e elektrifikimit në Kosovë. Ndërtesa ndodhet në pjesën lindore të Prizrenit dhe paraqet një nga hidrocentralet e para të ndërtuara në vend.

E ndërtuar në vitin 1929, ndërtesa ka furnizuar qytetin me energji elektrike për dyzet e katër vjet. Furnizimi me energji elektrike ka ndikuar në hapjen e kinemasë së parë në qytet dhe zhvillimin e zanateve të reja. Fillimisht hidrocentrali furnizonte institucionet publike, banesat e njerëzve të pasur, mullinjtë dhe njësitë tregtare.

Për shkak të mungesës së kapacitetit dhe pajisjeve të vjetëruara, hidrocentrali ndaloi së funksionuari në vitin 1973. Në vitin 1975, ndërtesa u adaptua në Muzeun e Historisë Elektrike të Kosovës. /KultPlus.com

Të fundit