27/09/2022
16.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ndihma për fëmijët e porsalindur në Maqedoni, e pamjaftueshme

Për Linda Iseni Kokën, e cila sapo ka lindur foshnjën e saj të parë, 5 mijë denarë (80 euro) në muaj që i merr ndihmë nga shteti maqedon, nuk mjaftojnë për të mbuluar as shpenzimet javore.

“Ato 5 mijë denarë harxhohen menjëherë. Nëse bëjmë një përllogaritje të shpejtë, 5 mijë denarë shkojnë për vitamina, qumësht… për gjërat që ka nevojë një foshnje e porsalindur dhe për një javë, më e shumta për dy – këto mjete më nuk i ke”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Në Maqedoninë e Veriut ndihma e shtetit për fëmijën e parë është 5 mijë denarë. Kjo shumë jepet vetëm një herë.

Linda ka punuar pa kontratë të përhershme pune, rrjedhimisht nuk ka të drejtë në shfrytëzimin e pushimit me pagesë, andaj, siç thotë ajo, është e detyruar që krahas përkujdesjes për foshnjën e saj, të mendojë për një punë me orar të shkurtuar, në mënyrë që të mund të përballojë shpenzimet për foshnjën.

“Si nënë e re më duhet të rrisë djalin tim të vogël dhe njëkohësisht të mendoj për një punë, pasi shpenzimet janë të papërballueshme”, thotë ajo.

Edhe Mirosllava Simonovka, po ashtu nënë e një foshnjeje, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndihma e shtetit për nënat është e vogël dhe se kjo e bën që të mendojë nëse do të sjellë në jetë edhe një fëmijë tjetër.

“Për të dalë nga spitali një palë rrobe me të cilat do ta vishni foshnjën tuaj kushtojnë 1 mijë denarë , pakoja e qumështit pluhur [nëse nëna nuk është gjidhënëse] kushton nga 1 mijë deri 1.400 denarë, vitaminat për zhvillimin e kockave të foshnjës kushtojnë 1 mijë denarë, dhe shto këtu dhe pecetat. Pra, ende pa dalë nga spitali pas lindjes, ju keni shpenzuar ato 5 mijë denarët”, thotë ajo.

Sipas saj, në këtë kohë krize, krevati dhe karroca për fëmijë konsiderohen luks, pasi shpenzimet për to tejkalojnë shumën prej 500 eurosh.

Me Ligjin e ri për mbrojtje të fëmijëve, i cili ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2020, parashihet ndihmë e njëhershme për çdo fëmijë të lindur. Për fëmijën e parë ndihma është 5 mijë denarë (80 euro), për fëmijën e dytë është 20 mijë denarë (320 euro), ndërsa për fëmijën e tretë 60 mijë denarë (960 euro).

Përveç ndihmës së ulët financiare, lehonat ankohen edhe për vonesa në pagesën e pushimit të lehonisë.

Në bazë të Ligji për marrëdhënie pune, njëri nga dy prindërit ka të drejtë të marrë pushimin e lehonisë për nëntë muaj. Këto mjete i paguan Fondi për Sigurime Shëndetësore. Prindi merr 80 për qind të pagës që ka për nëntë muaj.

Ivana Ramadanova, nënë e një foshnje katër muajshe, thotë për Radion Evropën e Lirë se në kohën kur në familje vjen një anëtar i ri, vonesa e pagesës së pushimit të lehonisë paraqet barrë të rëndë për buxhetin e familjes.

“Paratë nga pushimi i lehonisë më vijnë çdo muaj në data të ndryshme. Për muajin qershor pagesa u realizua më 5 gusht, me arsyetimin se ishte ditë feste”, tregon ajo.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që këto pagesa të mos vonohen “dhe më rëndësishmja këto mjete të lëshohen në të njëjtën datë për të gjitha lehonat”, për shkak që siç thotë Ivana, ka nëna që varen nga këto të ardhura.

Nga Fondi për Sigurime Shëndetësore thonë se ky institucion nuk është punëdhënësi, dhe se nuk është i obliguar që paratë t’i lëshojë në të njëjtën datë për të gjitha lehonat.

Ata thonë se pagesa bëhet në varësi se kur është deponuar dokumentacioni.

“Thelbësore mbetet që me kohë të deponohet dokumentacioni i plotë. Vetë procesi për kontrollin dhe përpunimin e të dhënave nuk është i thjeshtë, andaj nevojitet kohë”, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Fondi për Kursime Shëndetësore.

Ankesat e lehonave vijnë në kohën nataliteti po shënon rënie të vazhdueshme në Maqedoninë e Veriut.

Referuar të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, vitin e kaluar kanë lindur rreth 4 mijë fëmijë më pak, krahasuar me një dekadë më herët.

Gjatë vitit 2021 është regjistruar numri më i ulët i lindjeve, me gjithsej 18.790 lindje. Një dekadë më herët, pra në vitin 2011, numri i fëmijëve të lindur në Maqedoninë e Veriut ishte 22.770./REL/

Të fundit