28/03/2024
14.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ndihma problematike për mediat nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Ndihma financiare për mediat, që është paralajmëruar nga drejtuesit e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ka nxitur debat në mes të punonjësve mediatikë, të cilët kanë kujtuar praktikën e hidhur nga e kaluara, ku media të caktuara ishin bërë peng i direktivave nga qeveria, në kohën kur atë e udhëhiqte Nikolla Gruevski.

Së fundmi, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka bërë të ditur se do të propozojë tërheqjen e nenit 102 të Ligjit për shërbime audio-vizuele, me qëllim që të mundësohet që qeveria sërish të ndajë mjete për mediat nga buxheti i shtetit.

Por, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, Instituti i Maqedonisë për Media si dhe Këshilli i Etikës në Media janë shprehur kategorikisht kundër ndryshimit eventual të këtij neni, ku do të mundësohej që institucionet publike të reklamonin në media.

Punonjësit e mediave shprehen se nuk janë kundër ndihmave, por shtojnë se këto mjete, të cilat do të ndahen nga arka e shtetit, duhet strukturuar në formë transparente, e për këtë gjë kërkojnë që ekspertët e fushës të zhvillojnë një debat të gjerë.

Gazetari Isen Saliu, thotë se është në rregull që mediat të ndihmohen, veçanërisht pas goditjes financiare që morën nga kriza e pandemisë së koronavirusit. Por, ai thotë se kjo ndihmë duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe të përcaktohen qartë edhe kriteret mbi bazën e së cilave, mediat do të marrin mjete nga arka e shtetit.

“Duhet pasur parasysh qëndrimet e përfaqësuesve të mediave, që të paktën gjatë një periudhe deri sa janë prezentë pasojat e krizës së pandemisë, të gjendet një formë për të ndihmuar mediat, por ajo formë e ndihmës të jetë transparente, të mbyllet çdo mundësi për keqpërdorim për reklamimin e politikave qeveritare apo ndarjes së mjeteve në këmbim të fitimit të përkrahjes për politikat pro-qeveritare. Kjo kërkon kujdes të madh, kërkon dhe analiza më të thella. Sidoqoftë, unë jam i mendimit se do të ishte më mirë që mos ketë kurrfarë ndihmash për mediat sesa të përkrahen mediat duke i keqpërdorur, siç janë keqpërdorë në të kaluarën”, thotë Saliu.

Ndërkaq, njohësi i fushës së komunikimit, Petar Arsovski thotë se mediat mund të marrin ndihmë nga arka e shtetit, nëse paraprakisht ndërtohen mekanizma që do të pamundësonin ndikimin e qeverisë në politikat editoriale të mediave.

“Pra, duhet të pamundësohet në mënyrë absolute që kushtimisht thënë qeveria të mund të blejë politikën redaktuese të mediave të caktuara përmes mjeteve që do të ndahen nga shteti, përmes realizmit të projekteve që do të definohen se janë me karakter publik, me atë që saktësisht do të do të definohet se çka paraqet dhe çka nuk paraqet interes publik”, thotë Arsovski.

Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka theksuar se po bëhen përpjekje për një zgjidhje të përhershme sa i përket stabilitetit financiar të mediave, për çka qeveria tashmë ka ftuar edhe një delegacion të ekspertëve evropianë, të cilët duhet të ndihmojnë në formulimin e normativave ligjore, duke u mbështetur në përvojat evropiane.

Për shkak të krizës së pandemisë, shumë media kanë thënë se kanë pasur vështirësi financiare, për shkak se është ulur numri i reklamave.

Ndryshe, reklamimi i punës së qeverisë në mediat e vendit me mjete nga buxheti i shtetit, u ndërpre me ndryshimi e Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuale në fund të dhjetorit të vitit 2018.

Reklamimi i punës së qeverisë në media të caktuara ishte përmendur edhe në raportet e Komisionit Evropian, ku kjo formë e reklamimit ishte thënë se mundëson ndërhyrjen e politikës në media./REL/

Të fundit