28/03/2024
14.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Në Gjermani punojnë 13.500 persona me pasaportë të Maqedonisë së Veriut

Gjithnjë e më shumë njerëz nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së shkojnë për të punuar në Gjermani. Viza pune në vend kanë marrë 13.5 mijë punëtorë me pasaporta të Maqedonisë, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Numri i punëtorëve në Gjermani nga vendet jo anëtare të BE-së është trefishuar në 10 vitet e fundit. Të dhënat e fundit nga Enti federal i Statistikave tregojnë se në fund të vitit 2021, 295.000 shtetas të vendeve të treta kanë marrë leje qëndrimi të përkohshme për qëllime pune në Gjermani. Kjo përbën një plus prej 226% krahasuar me vitin 2011.

Përqindja më e madhe e punëtorëve nga vendet e treta ishin nga India – 11%. Numër i madh punëtorësh kanë pasaportë të një prej vendeve të Ballkanit. Bosnja dhe Hercegovina prinë me 26.3 mijë punëtorë (11%), pasuar nga Kosova me 19.6 mijë (7%), Serbia me 17.4 mijë (5.9%) dhe Shqipëria me 13.8 mijë (4 .6%). Më pak punëtorë nga Ballkani kanë pasaportë maqedonase, gjegjësisht 13.5 mijë (4,5%).

Në listën me numër më të madh puntorësh në gjermani ndodhet Kina (16.7 mijë) dhe ShBA (16.5 mijë), si dhe Turqia (10.7 mijë) dhe Rusia (9.4 mijë).

Pothuajse një e katërta e fuqisë punëtore nga vendet e treta erdhi në Gjermani me të ashtuquajturat kartë blu, e cila u lëshohet personave me arsim të lartë që kanë dëshmi për ofertë të ndonjë vendi konkret pune. Pothuajse gjysma e personave me karton të kaltër në fund të vitit 2021 punonin në profesione ku ka mungesë të madhe ekspertësh, si mjekë apo profesione nga dega e IT-së.

Sa i përket vendeve anëtare të BE-së, në Gjermani punojnë kryesisht nga Polonia (380 mijë), Rumania (271 mijë), Italia (208 mijë), Kroacia (131 mijë), Bullgaria (109 mijë) dhe Greqia (108 mijë).

Të fundit