Në Gjykatën Penale në Shkup sot duhet të mbahen seanca për “Titanik” dhe “Fortesa” të Prokurorisë Publike Speciale.
Në lëndën “Fortesa 2” i akuzuar i parë është ish-shefi i Drejtorisë së Pestë, Goran Grujovski, si edhe gjashtë të punësuar në DSK. Debati i kaluar u anulua për shkak të aktgjykimit të padorëzuar të Gjykatës Supreme nga Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut.
Të akuzuarit në rastin “Fortesa 2” gjykohen për falsifikimin e dokumentit zyrtar dhe për asgjësimin e dokumentit zyrtar lidhur me përgjimin e paligjshëm. Dokumenti lidhet me dy sistemet e përgjimit ilegal, të cilat sipas PPS-së janë asgjësuar gjatë vitit 2014.
Lënda “Titanik” ndodhet në procedurë dëshmuese dhe prezentohen dëshmi materiale të propozuara nga PPS. Deri më tani janë prezentuar rreth 3.000 prej 5.900 dëshmive materiale.
Përveç ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski i cili është në arrati në Hungari, në “Titanik” të akuzuar janë edhe Kirlli Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Brishkoska Boshkovski, Iljia Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristoski, Kirill Todorovski, Katerina Vellkovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nekevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashjakovska.
Ata dyshohen për bashkëpjesëmarrje në krim, shkeljen e të drejtës për votim, shkeljen e lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfetit gjatë zgjedhjeve dhe votimit, asgjësimin e materialit zgjedhor dhe për keqpërdorimin e mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore. shk/