20/04/2024
2.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Në kohë krize, thirrje qytetarëve dhe bizneseve të kursejnë rrymë

Në prag të dimrit të pritur të vështirë mbështetja e bujqve dhe menaxhimi me krizën energjetike mbeten prioritete kryesore të Qeverisë, paralajmëroi kryeministri Dimitar Kovaçevski, përderisa në të njejtën kohë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski kërkoi nga kompetentët të prodhojnë rrymë e cila, do të përfundojë si ndihmë ekonomisë.

Kryeministri Kovaçevski dje pas inaugurimit të sistemit për ujitje “Sllavishko pole” në Komunën Rankovc paralajmëroi se Këshilli ekonomik do t’i shqyrtojë kërkesat e sektorit të biznesit për zbutjen e goditjes nga çmimet e larta të rrymës për kompanitë dhe sapo t’i kenë llogaritjet, Qeveria do të intervenojë në atë pjesë.

Megjithatë, sipas tij, ulja e mundshme shtesë e TVSH-së nuk do të kishte ndikim ndaj çmimit të energjisë elektrike, sepse ajo në tregun e lirë është mbi 1000 euro.

Kryeministri theksoi edhe se kyçe në periudhën në vijim është të bëhen kursime të energjisë elektrike çdokund ku është e mundur.

“Ndodhemi në periudhë kur çmimet e energjisë elektrike janë më të larta se cila do logjikë ekonomike, flas për tërë kontinentin evropian, ndërsa ajo që e kanë si detyrë të gjithë resorët në Qeveri dhe kompanitë të cilat janë në pronësi shtetërore, atë do të duhet ta porosisin me qëllim që të kemi furnizim të papengueshëm me energji elektrike”, shtoi kryeministri Kovaçevski.

Nga ana tjetër, lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickoski nga Berova akuzoi se biznesmenët e vendit paguajnë rrymë më të lartë se kolegët e tyre në rajon dhe u bëri thirrje kompetentëve të prodhojnë rrymë e cila “do të përfundojë si ndihmë ekonomisë”.

“U bëj apel kompetentëve, në vend që të vazhdojnë me kokëfortësinë e tyre, të merren me punë, të ndalojnë të vjedhin nga ELEM, sot EMV, të ndalojnë vjedhjen ndaj qytetarëve dhe t’i mundësojnë biznesit dhe ekonomisë në këto kohë të vështira të mbijetojnë, pasi ata janë heronjtë e kësaj kohe që luftojnë çdo muaj për të siguruar ekzistencën e punonjësve. Prandaj, në vend se të vazhdojnë me ato deklarata, të merren me punë, të ndalojnë vjedhjen, të prodhojnë rrymë dhe ajo rrymë të përfundojë si ndihmë për ekonominë dhe në këtë mënyrë ta bëjnë ekonominë e vendit konkurruese, tha Mickoski.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, ndërkaq, vlerësoi se shtatë muaj prej fillimit të luftës në Ukrainë, pikëpamjet ekonomike edhe më tej mbeten në dozë të lartë të paqartësisë, me rreziqe në rritje për shkak të inflacionit në rritje, mundësisë për ndalje të dërgesës së gazit nga Rusia, rritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe ashpërsimit të kushteve për financim.

Në kolumnë Besimi thekson se çmimet e energjisë për amvisëritë dhe ndërmarrjet evropiane do të jenë më të larta se pritjet e mëparshme.

“Kjo do të ndikojë në besimin e konsumatorëve, që po bie dhe gjithnjë e më pak do të jenë të gatshëm t’i shpenzojnë kursimet e veta, që do të reflektohet në konsumin në gjysmën e dytë të vitit. Çmimi i energjisë do të ketë ndikim edhe ndaj investimeve. Shpenzimet e rritura dhe pikëpamjet më të dobëta për konsum final do të ndikojnë tek ndërmarrjet që të shkurtojnë projektet jothelbësore”, shton Besimi.

Ai përkujton edhe se gazi natyror u shtrenjtua mbi 3.300 dollarë për 1000 metra kub, që është rritje e çmimit të tij në krahasim me mesin e vitit 2021 për 700 për qind.

Ai thekson edhe se pritjet e ekspertëve energjetikë janë se deri në fund të dimrit kjo gjendje nuk do të ndryshojë shumë, përveç në rast të ndërprerjes së luftës në Ukrinië dhe vendimit të Gjermanisë të importojë gaz rus përmes Rrjedhës veriore 1 dhe 2.

Në kushte të këtilla, shton ministri, Qeveria ndërmerr dhe do të ndërmarrë masa për amortizim të çmimeve në rritje të energjisë elektrike, përmes subvencioneve të prodhimit të EMV-së dhe uljes së TVSH-së për energjinë elektrike prej 18 në 5 për qind, që në nivel vjetor i kushton Buxhetit të shtetit rreth 50 milionë euro më pak të ardhura nga TVSH-ja.

Të fundit