19/04/2024
4.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Në Maqedoninë e Veriut festa e parë për 28 Nëntorin këtë vit filloi në Haraçinë!

Festat e nëntorit janë të një rëndësie të veçantë për shqiptarët, sepse shënojnë data historike kombëtare. E për këtë arsye edhe shqiptarët përgjatë këtij muaji nuk qëndrojnë pasiv e të heshtur, por janë të aktivizuar si asnjë muaj tjetër brenda vitit. Koordinim e bashkëpunim i gjithanshëm, vetëm për të sjellë atmosferë festive e krenarie për atë që jemi shqiptarë. Në Maqedoninë e Veriut festa e pavarësisë së Shqipërisë ka filluar shumë më herët, Komuna e Haraçinës njihet historikisht për rezistencën dhe kontributin e dhënë në çështjen e ngritjes së vetëdijes kombëtare kurdo që ka qenë nevoja. Prandaj, në këtë nëntor vepruan ashtu si u shkon përshtati para objektit të Komunës kishin vendosur flamurin kuq e zi për të valëvitur dhe dëshmuar se ka shqiptarë që e duan dhe e respektojnë kombin e tyre. Nën organizimin e gazetares së guximshme, Emira Selimi, në bashkëpunim me Komunën e Haraçinës është mbajtur ngjarje publike me të ftuarin special, gazetarin e atdhetarin nga Shqipëria, Marin Mema, për të shënuar 28 Nëntorin ndryshe këtë vit prej viteve tjera, shkruan Zhurnal.

Si festohet 28 Nëntori në Maqedoninë e Veriut?

Kur flasim për festa që janë të një rëndësie të veçantë, sigurisht që edhe kremtimi i tyre bëhet në të njëjtën formë, me një kujdes të shtuar e përkushtim maksimal. Festa e 28 Nëntorit, pavarësisë së Shqipërisë, për herë të parë në Maqedoninë e Veriut u shënua dhe u festua si e tillë në Komunën e Haraçinës, me të ftuarin special, Marin Mema, gazetarin që po gjurmon gjithçka që është shqiptare të mbetet e tillë.

Përndryshe, festa e 28 Nëntorit në Maqedoninë e Veriut shënohet edhe nga disa institucionet publike me të cilat edhe udhëheqin shumë shqiptarë, por këto ngjarje më shumë ngjajnë si ceremoni simbolike, e të njëjta sikurse viteve të kaluara, me figura partiake e një audiencë të selektuar. Ajo që u festua në Haraçinë ishte ndryshe sepse ishte e hapur publike për të marrë pjesë secili qytetarë që ndihej shqiptarë.

Prandaj, lirshëm mund të konstatojmë që festa e 28 Nëntorit në Maqedoninë e Veriut fillimin e kishte në Haraçinë, kurse pastaj të tjerat organizime janë vazhdimësi. Në këtë organizim kishte të pranishëm pjesëmarrës të gjithanshëm, por ajo që ra në sy ishte interesimi dhe pjesëmarrja masive e studentëve që vërshuan gazetarin nga Shqipëria, Marin Mema me pyetje të njëpasnjëshme, dhe kjo ishte pikërisht ajka e këtij organizimi që dëshmoi se zëri i të rinjve triumfon çdoherë kur përballë tyre kanë njerëzit e duhur e shumë të nevojshëm, kontribuues të pakompromist për çështjen shqiptare.

Organizatore e kësaj ngjarje ishte, Emira Selimi, gazetare e guximshme, e etur për studime prandaj edhe aktualisht është studente në Shkenca Politike, mbi të gjitha shembull për të rinjtë se si duhet kombi e vendi. Përndryshe, Selimi vjen nga Haraçina, dhe nga atje dha një mesazh të fuqishëm pikërisht në prag të festës së 28 Nëntorit, që do ta luftojë me gjithë qenien e saj përmes profesionit të saj, dukurinë më famkeqe e shkatërruese të kombit shqiptarë, asimilimin, dhe do ta ruajë me fanatizëm shqiptarinë nga tjetërsimi.

Në këtë ngjarje përpos që u tha shumë për çështjen shqiptare, rëndësinë e kësaj feste, poashtu u thanë fjalë të mëdha për Haraçinën, kryetarin e ri të Komunës, Ridvan Ibrahimin, për të cilën të gjithë folësit deklaruan se me të vërtetë ndryshe po frymon kjo Komunë, dhe se ndryshimi është vërejtur për një kohë shumë të shkurtë prej kur në krye të Komunës është zgjedhur të jetë, Ridvan Ibrahmi.

Kjo mbase u vërejt edhe në shënimin e kësaj feste që u mbajt në një format tjetër, me të ftuar eminent e meritor për të festuar së bashku, që në ballë të Komunës flamuri kuq e zi, ndërkaq e gjithë Haraçina ishte zbukuruar në dy anët me flamuj që ishin simbole feste e mikpritjeje të një shqiptari me emër e vepër, Marin Mema.

Shqiptarët diskriminohen edhe në ditë festash-

Përderisa, 8 prilli është përcaktuar si ditë ndërkombëtare e romëve dhe si e tillë festohet në RMV, 23 maji dita nacionale e vllehëve, e 28 shtatori si dita ndërkombëtare e boshnjakëve, 28 Nëntori është ditë e zakonshme pune për të gjithë qytetarët e RMV-së, pa çka se është dita e pavarësisë së Shqipërisë dhe se në Maqedoninë e Veriut populli shqiptarë është popull shtetformues kjo nuk e ndryshon aspak këtë qasje.

Përse shqiptarët nuk kërkojnë që 28 Nëntori të jetë ditë feste në Maqedoninë e Veriut?

Nuk ka shqiptarë që me të vërtetë është shqiptarë dhe jeton si i tillë që festën e 28 Nëntorit nuk do të kishte dashur ta ketë festë shtetërore dhe ditë pushimi që të ndjejë e festojë sipas traditës. Por, në RMV situata është ndryshe që të zgjedhurit e popullit jo çdoherë zgjedhin atë që ka nevojë dhe e dëshiron populli, kjo pasi për pasojë bie ndesh me palën tjetër. Politikanët shqiptarë përgjatë periudhës sa janë në pushtet asnjëherë nuk e ngrisin si çështje faktin që edhe në ditë festash diskriminohen shqiptarët.

Ministria e Punës dhe politikës sociale, ka vendosur që për shqiptarët të jetë vetëm një ditë feste ajo e 22 Nëntorit që ndryshe është Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kjo krijon dilema pse pikërisht këtë ditë dhe pse jo edhe 28 Nëntori?. Mbase, mund të jetë fakti që edhe pse e përcaktojnë Ditën e Alfabetit si ditë feste ata e dinë dhe janë të kënaqur që statusi i gjuhës shqipe po vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme, me fjalë të tjera të festojnë shqiptarët për mjerimin në të cilin e kanë gjuhën e tyre.

Defaktorizimi i spektrit politik shqiptarë krijon hapësirë për diskriminime të natyrave të ndryshme-

Populli shqiptarë në Maqedoninë e Veriut “përfaqësohet” nga pesë parti politike, numër shumë i madh që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në përçarjen e votës shqiptare dhe defaktorizimin që pastaj si rrjedhojë sjellë mungesën e të drejtave elementare, kur flasim për zbatimin e gjuhës shqipe, si dhe festimin e festave mbarë kombëtare.

Ndryshe, festën e 22 Nëntorit shqiptarët e festojnë duke kujtuar që gjuha e tyre është e “përdhosur” dhe “sakatuar”, që ligjërisht figuron si gjuha e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, në Kushtetutë definohet me përqindje, në përdorim është e anashkaluar.

Megjithatë, për dallim prej festës së 22 Nëntorit, shqiptarët në këtë vend festën e 28 Nëntorit apo ndryshe Ditën e Flamurit mund ta festojnë vetëm pasi të përfundojnë orarin e punës aty ku janë të angazhuar, pasi nuk ka ditë pushimi në këtë ditë feste. Pra, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dita e pavarësisë së Shqipërisë është ditë e zakonshme pune, sikurse ditët tjera, e kjo krejt fal defaktorizimit të politikbërësve shqiptarë si dhe mos interesimit të Shqipërisë. /Zhurnal.mk

Të fundit