28/03/2024
9.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Në mungesë të vaksinave kundër Covid-19, qytetarët imunizohen në Serbi e Bullgari

Në mungesë të vaksinave anti kovid në vend, qytetarët kanë nisur t’ia bëjnë qarën vetit në shtet fqinje. Ata të cilët kanë dy shtetësi, janë vaksinuar në Bullgari dhe në Serbi. Vetëm sot në Vranjë të Serbisë u vaksinuan edhe 105 gazetarë nga vendi ynë.

“Kjo u organizua shumë shpejtë, para dy ditësh më pyetën a dua se ka një organizim të bëjmë. Desha por me pak mëdyshje! Kjo ishte, u dakorduam sot u nisëm me autobus të organizuar”

Nga Shoqata Gazetarëve të Serbisë thonë se me kërkesë të Asociacionit Maqedonas të Gazetarëve u bë si solidarizim për t’i mbrojtur gjatë punës.

“Thirrëm sa më shumë kolegë tanë në Serbi të vaksinohen për të parandaluar përhapjen e pandemisë. E dimë që gazetarët tek ne janë të vendosur në listën me prioritet, kolegët tanë e kanë shfrytëzuar këtë mundësi dhe janë vaksinuar. I bëjmë thirrje të vijnë edhe të tjerët që nuk janë vaksinuar”, tha Vladimir Radomoriviç, Kryetar i Shoqatë së Gazetarëve në Serbi.

Gazetarët nga Maqedonia në Serbi po vaksinohen me Astra&Zeneca. Dozën e dytë do ta pranojnë pas 21 ditësh.

“U përgjigjën në lutjen tonë të na sigurojnë disa doza vaksinash për të mbrojtur punonjësit tanë medial nga Maqedonia e Veriut për tu mbrojtur nga virusi CoVid-19”, pohoi Ivona Talevska, Asociacioni Maqedonas i Gazetarëve.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ata nuk organizojnë vaksinim nëpër vendet fqinje. Thonë se vazhdojnë negociatat që kontingjenti i vaksinave të arrijë javët në vazhdim, në mënyrë që vaksinimi masiv të nis sipas planit nacional për imunizim.

Ndërkohë mjekët nga Klinika e Gjinekologjisë thonë se në momentin e fundit janë njoftuar se është anuluar vaksinimi për ta me arsyetimin se janë kuadër deficitar dhe se në mbarë vendin ka rreth 120 mjekë gjinekologë.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se shtyrja e vaksinimit të gjinekologëve është bërë për shkak të rrezikut të sëmundjes dhe seriozitetit të situatës epidemiologjike dhe valës së re.

“Vaksinimi i punonjësve shëndetësorë që punojnë në qendrat kovide aktualisht është duke u zhvilluar dhe për shkak të rrezikut të sëmundjes dhe seriozitetit të situatës epidemiologjike dhe valës së re që po vjen, ne vendosëm të shtyjmë vaksinimin e gjinekologëve për një kohë të shkurtër në mënyrë që të mbrojmë shëndetin e të gjithë atyre që ofrojnë kujdes të drejtpërdrejtë të pacientëve me Covid 19”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Deri më sot 6,704 punonjës shëndetësor janë vaksinuar, 4,002 me dozën e parë Pfizer dhe 2,702 me Sputnik V. Ndërkaq 2,572 mantel bardhë e kanë marrë dozën e dytë të Pfizer të vaksinës anti kovid.

Të fundit