13/10/2024
18.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Në njërën anë mungesë të prodhimeve vendore, në anën tjetër tokat bujqësore “vende ideale” për panelet diellore!

Edhe pse më shumë se një e treta e sipërfaqes së Maqedonisë së Veriut është tokë bujqësore, sërish prodhohet shumë më pak grurë dhe prodhime të tjera bujqësore në vend. Kjo kohëve të fundit si pasojë e mungesës së klasës punëtore, ku të rinjtë largohen nga vendi dhe nuk ka kush t’i zëvendësojë. Por, sipas buqëve që kanë vendosur të qëndrojnë në vend mungesa e prodhimeve nuk ndërlidhet vetëm me mungesën e klasës punëtore, por ka të bëjë edhe me mungesën e ndihmës në formë të subvencioneve nga shteti. E tani sëfundmi është shfaqur edhe rrezik dhe kërcënim nga bujqit fakti që toka bujqësore po shndërrohet në vend ideal për vendosjen e paneleve diellore. Sistemi i qendrave fotovaltike ka marrë një hov të madh edhe në vendin tonë. Fermerët dhe organizatat joqeveritare për mbrojtjen e ambientit jetësor në Maqedoninë e Veriut janë shprehur kundër draftligjit që mundëson ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore në sipërfaqe për ndërtimin e centraleve diellore, shkruan Zhurnal.

Bujqit kundër draftligjit që e shndërron tokën bujqësore në vend për vendosje të panelev diellore –

Fermerët dhe organizatat joqeveritare për mbrojtjen e ambientit jetësor në Maqedoninë e Veriut janë shprehur kundër draftligjit që mundëson ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore në sipërfaqe për ndërtimin e centraleve diellore. Me propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tokën bujqësore, mundësohet që centralet diellore të ndërtohen në tokat më pjellore bujqësore.

Ndryshimet në këtë ligj do t’u mundësonin investitorëve strategjikë të huaj të mund të ndërtojnë objekte energjetike në tokat bujqësore të kategorisë së parë për nga cilësia e tokës që vlerësohet deri në kategorinë e katërt, që është cilësi më e dobët.

Nga Ministria e Bujqësisë arsyetohen se për herë të parë me ndryshimet ligjore parashikohen dispozita të qarta për mbrojtjen e tokës bujqësore nga ndryshimi i destinacionit nga tokë bujqësore në atë për ndërtim. Nga ky dikaster theksojnë se përcaktohen kritere të qarta se në cilën kategori të tokës nuk mund të ndërtohen centrale energjetike, por specifikohen edhe përjashtimet.

“I vetmi përjashtim i parashikuar nga këto ndryshime të propozuara në seksionin e tokave të kategorisë së parë dhe të dytë, është ndërtimi i objekteve energjetike që janë objekt i investimeve strategjike dhe nuk paraqesin asnjë kërcënim për tokën bujqësore”, kanë thënë nga Ministria e Bujqësisë, transmeton REL.

Por, bujqit dhe organizatat joqeveritare që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësor theksojnë se pikërisht në cilësimin e investitorit strategjik për çka vendos Qeveria, qëndron kurthi për sa i përket humbjes së tokave bujqësore. Memet Sinani për REL nga Konfederata e fermerëve thotë se përmes arsyetimit se leja për ndërtimin e paneleve diellore është dhënë për shkak të karakterit me interes strategjik do të mbillen sa për sy e faqe kultura bujqësore nën sistemin e paneleve duke ngushtuar seriozisht tokën pjellore.

Edhe organizatat që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësore theksojnë se përmes ndryshimit të ligjit në fjalë, do të përfitojnë kompanitë e mëdha, të cilat me vendim të Qeverisë, do të mund të marrin statusin e investitorit strategjik, rrjedhimisht të përfitojnë mundësinë që të ndërtojnë në sipërfaqet e tokës më pjellore.

Kujtojmë që, ndryshimet në Ligjin për tokën bujqësore janë dorëzuar në Regjistrin e Vetëm Elektronik Kombëtar, ENER, ku mund të jepen sugjerime, vërejtje, komente dhe mendime rreth ndryshimit dhe plotësimit të ligjit në fjalë. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave zotohet se të gjitha sugjerimet, vërejtjet dhe komentet, do t’i përfshijë në tekstin final të këtij ligji.

Sektori i bujqësisë është ndikohet rëndë pas çdo krize ekonomike-

Sektori i bujqësisë është njëri ndër sektorët më pak të pëlqyer nga të rinjtë, pothuajse askush prej tyre nuk dëshiron të merret me punë bujqësore, kjo përshtypje e krijuar nuk ka ardhur vetvetiu por si rezultat i asaj që kanë parë nga paraardhësit e tyre se sa pak produktive është kjo punë, shumë angazhim pak të ardhura. Pra, shtetit tonë i mungojnë politikat stimuluese për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, që në situata të tilla si kjo e luftës në Ukrainë vendi përballet me deficit të madh të produkteve të ndryshme ushqimore.

Këtë e kanë pohuar edhe autoritetet të cilat kanë treguar se po përballemi me krizën më të vështirë deri tani, por vazhdimisht apeluan qytetarët që të mos shqetësohen dhe siguruan se produktet bazë, bukë, miell, qumësht dhe vaj ulliri, do të ketë. Miratuan Plan Kombëtar për prodhimin e ushqimit dhe e krijuan Fondin intervenues. U realizua paketë masash për uljen e çmimeve të produkteve bazë, si dhe për stimulimin e prodhimit. Edhe përkundër faktit të krijimit të paketës për uljen e çmimeve të produkteve bazë, sërish dhe ende çmimet janë tejmase të larta dhe qytetarët janë jashtëzakonisht të pakënaqur.

Pra, kemi të bëjmë me një sektorë që kudo që shfaqet ndonjë krizë përcillet edhe në vendin tonë përshkak të mungesës së prodhimeve vendore dhe masës së lartë të importit prej jashtë. Sërish e shohin si normale edhe ndryshime dhe propozimet e draft ligjeve përmes të cilave toka bujqësore të shndërrohet në vend për vendosjen e paneleve fotovaltike. Do të thotë në vend të përkrahjes dhe motivimit për këta pak bujq që kanë mbet hartohen ligje për të demotivuar dhe penguar edhe më shumë në punën e tyre. /Zhurnal.mk

Të fundit