29/03/2024
18.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Në Tetovë 4 të infektuar të rinj nga Kovid-19, persona të cilët kanë qëndruar në shtëpi, ndërsa virusin e kanë marrë nga mysafirët

Shtabi i krizës në Komunën e Tetovës kumtoi se morën informacione nga institucionet shëndetësore se numri i më i madh i të infektuarve të rinj janë njerëz që nuk i kanë lënë fare shtëpitë e tyre, ndërsa Kovid-19 e kanë marrë nga mysafirët që kanë ardhur te ata. Deri më 18 maj në Tetovë dhe komunat përreth janë regjistruar katër raste të reja me Kovid-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të personave të diagnostikuar në 147. Nga ky numër, 56 janë shëruar deri më tani, ndërsa 13 kanë vdekur.

“Fatkeqësisht, numrat në ditët e fundit tregojnë për një rritje të vazhdueshme të numrit të të infektuarve me Kovid-19 në komunën e Tetovës dhe zonën përreth. Kjo kryesisht i referohet mosrespektimit të masave mbrojtëse, gjegjësisht mos- mbajtjes së maskave mbrojtëse dhe mos- mbajtjes së distancës fizike. Kemi edhe raste të personave që nuk i kanë lënë shtëpitë e tyre, por janë infektuar me Kovid-19, që do të thotë se virusi u është sjellë atyre nga anash, si rezultat i vizitave në shtëpitë e tyre nga familjarët dhe miqtë. Prandaj, bëjmë apel që të zvogëlohet numri i vizitave të panevojshme dhe grupimeve më të mëdha në shtëpi dhe hapësira të mbyllura”, theksoi kryetarja e komunës, Teuta Arifi.

Ajo njoftoi se vetëqeverisja lokale do t’ju ndihmojë objekteve fetare për dezinfektim.

“Shërbimet komunale, siç janë Njësia territoriale e zjarrfikësve dhe NPK -Tetovë pas hapjes së xhamive dhe objekteve të tjera fetare do të bëjnë edhe dezinfektim të brendshëm të hapësirave të ndërtesave, në mënyrë që të minimizohet rreziku nga Kovid-19”, tha Arifi.

Sipas komunave numri më i madh i të infektuarve, 68 janë në komunën e Tetovës ku ka edhe katër të vdekur, në komunën e Bogovinës 47 të infektuar dhe gjashtë të vdekur, në Tearcë janë 10, Bërvenicë 12 të infektuar dhe një i vdekur, në Jegunocë katër të infektuar dhe në komunën e Zhelinës gjashtë të infektuar dhe dy të vdekur. as/ls

Të fundit