28/03/2024
16 C
Tetovo

Të tjera lajme

Neglizhenca e BE, Rusia do të destabilizojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

(International Politics and Society). Gjatë muajit të kaluar, dy komedianë rusë të njohur si Vovan dhe Lexus publikuan përgjimet e disa telefonatave me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev. Ata mashtruan liderin e Maqedonisë së Veriut duke e bërë të besonte se po fliste me ish-Presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ka mjaftuar kaq që Zaev të fliste “pa dorashka” për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, dialogun midis Serbisë dhe Kosovës dhe ndërhyrjes së Rusisë në Ballkan. Kryeministri maqedonas deklaroi se Rusia dhe Turqia ishin prapa idesë së ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës. Ndër të tjera Zaev gjithashtu pranoi se Presidenti rus Vladimir Putin kishte kontroll të drejtpërdrejtë ndaj homologut të tij serb Aleksandër Vuçiç.

Komedianët rusë janë mysafirë të përhershëm në mediat ruse si RT dhe Sputnik. Ata kanë deklaruar në shumë raste se ata punojnë “vetëm për veten e tyre” dhe në mënyrë specifike synojnë udhëheqësit e huaj dhe figura politike që shprehin anti-ruse. Disa nga viktimat e tyre të tjera të profilit të lartë përfshijnë Presidentin Francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Boris Johnson, ish Ambasadoren e SHBA në OKB Nikki Halley.

Megjithëse shakaja e tyre e fundit i kishte “këmbët e shkurtra” dhe Zaev u përpoq ta largonte vëmendjen e opinionit publik nga incidenti, ajo tregoi edhe njëherë se Ballkani mbetet lagjja më e brishtë e Europës. Rajoni është shumë i prekshëm ndaj ndikimit të keq malinj, i cili bëhet edhe më i fuqishëm sa herë që ndonjë nga vendet e rajonit është pranë anëtarësimit në BE dhe NATO. Edhe një incident i vogël, gati komik si ky, mund të shkaktojë valë protestash dhe trazirat nëpër Ballkan, në një kohë kur e ardhmja europiane e rajonit duket se janë në rrezik.

Dështimi i BE-së në Ballkan

Dy muaj më parë, Këshilli i BE-së vendosi të mos ndiqte rekomandimet e Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Këshilli e shtyu vendimin për në tetor, mes trazirave politike në Tiranë dhe një vere të tensionuar politike në Shkup.

Presidenti francez Emmanuel Macron është më i zëshmi kur bëhet fjalë për të ardhmen e procesit të zgjerimit. Ai pretendon se BE së pari duhet të zbatojë reforma të thella dhe më pas të përqëndrohet tek anëtarët e rinj. Edhe pse disa nga vendet më të mëdha të unionit mbështesin Macron, vendimi nuk u prit aspak mirë nga vendet e Ballkanit. Mesazhi i përgjithshëm i Brukselit nuk duket aspak inkurajues për mbarë Ballkanin, por ishte muzikë për veshët e Rusisë dhe rolin e saj në rajon.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe përpjekjes së saj për t’u anëtarësuar në NATO deri në fund të vitit, është e qartë se vendi do të bëhet shënjestër për propagandën ruse. Vitin e kaluar, Greqia dëboi dy diplomatët rusë, duke akuzuar Moskën që po përpiqej të ndërhynte në marrëveshjen e emrit me fqinjin e saj verior. Marrëveshja e emrit u bë më vonë forca kryesore lëvizëse për anëtarësimin e Shkupit në NATO dhe fillimin e bisedimeve të pranimit me BE.

Si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria kanë investuar shumë për integrimin e tyre në BE. Fillimi i bisedimeve të pranimit këtë verë u vlerësua si një fitore e madhe për Shkupin dhe Tiranën, si dhe vetë BE-në. Fatkeqësisht, kjo nuk arriti të materializohej, duke i lënë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë me një fije shprese për në tetor.

Por perspektiva e rajonit drejt BE-së dhe NATO-s ka zemëruar Moskën. Rasti më i dukshëm ishte anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe përpjekja e dështuar për grusht shteti në tetor të vitit 2016. Në maj të këtij viti, gjykata malazeze dha dënime me pesë vjet burg për dy politikanë të opozitës pro-ruse për përfshirjen e tyre në këtë komplot.

Që atëherë, Moska ka qënë në kërkim të një qasjeje më të kujdesshme për ta mbajtur rajonin në sferën e ndikimit të saj gjeopolitik. Telefonata e komedianëve rusë me Zaev tregoi se Moska po përpiqet të diskreditojë politikanët pro-europianë në Ballkan.

Një e ardhme europiane për Ballkanin

Dërgimi i automjeteve ushtarake për aleaten e saj më të madhe në rajon, Serbinë (një vend kandidat për BE), ka treguar se Moska ende ka miq të rëndësishëm në BE.

Të dyja, si Bullgaria ashtu edhe Rumania nuk pranuan të lejojnë transferimin e automjeteve ushtarake në Serbi, për shkak të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Por Hungaria, edhe pse vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, i erdhi Moskës në ndihmë.

Në një kohë kur rajoni ka nevojë për inkurajim në lidhje me perspektivat e saj europiane, ndikimi i BE-së në Ballkan duket se po zvogëlohet. Në vend të kësaj, Brukseli po dërgon mesazhe të përziera rreth procesit të zgjerimit. Brenda BE-së, ka shumë deklarata kontradiktore në lidhje me procesin e zgjerimit, të bëra nga zyrtarët kryesorë europianë. Në këtë mënyrë, duket sikur BE-ja po fton Moskën të bëhet më aktive në rajon dhe t’i largojë vendet e Ballkanin Perëndimor nga perspektiva e tyre evropiane.

Udhëheqësve politikë të Ballkanit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të interpretojnë deklaratat e zyrtarëve uropianë, në varësi të rrethanave dhe zhvillimeve në vendet e tyre. Por ky konfuzion hap derën për çdo lojtar tjetër gjeopolitik. Ky konfuzion vjen në një kohë kur është e rëndësishme të pranohet se disa vendet e rajonit kanë pasur një rrugë të gjatë në përpjekjet e tyre për t’u bërë anëtare të BE-së. Maqedonisë së Veriut iu desh të ndryshonte emrin, Shqipërisë iu desh të ndërmerrte reforma të dhimbshme gjyqësore që tronditën sistemin politik në vend.

Nëse BE reagon përpara se të jetë shumë vonë, ajo ende mund të fitojë betejën gjeostrategjike mbi Ballkanin. Ajo që udhëheqësit aktual të unionin duhet të kuptojnë është se një Ballkan i qëndrueshëm dhe i zhvilluar është një fitore edhe për për BE-në. Kjo gjithashtu do të tregonte se të gjitha përpjekjet që BE-ja ka bërë në dekadën e fundit, nuk janë të kota dhe se rajoni po shkon në drejtimin e duhur. Nëse vret shpresat evropiane të rajonin, Brukseli rrezikon të përballet me një konkurrencë të ashpër politike nga Moska.

Të fundit