29/03/2024
14.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nëse nuk blejmë gaz natyror, do ngrohemi me mazut

Edhe dy javë nis sezoni i ngrohjes, por ekzekutivi akoma nuk ka konkretizuar ndonjë marrëveshje për furnizim me burime energjetike nga shtetet fqinje për të përballuar krizën, shkruan Alsat.

Qeveria i ndau EMV-së 1 miliard e 100 milion denarë për tu importuar gaz natyror. Por, përderisa nuk sigurohet importi i mjaftueshëm i gazit natyror për sezonin e ngrohjes, ndërmarrjet kanë edhe planin rezervë, ndonëse më pak ekologjike, të funksionojnë me mazut, thonë nga Qeveria.

“Ndërmarrja TE-TO dhe Ngrohtoret në Shkup mund të funksionojnë edhe me djegie të mazutit. Përderisa nuk arrihet marrëveshje për gazin natyror me Serbinë apo për energjinë elektrike me Bullgarinë, opsioni fundit mbetet përdorimi i mazutit. Shpresojmë që ajo të mos ndodh por përmes Greqisë do furnizohemi edhe me mazut. Për tu rritur prodhimi vendor i energjisë pritet të blejmë edhe pajisje që funksionojnë me naftë. EMV është e obliguar të bëj të gjitha analizat e nevojshme ekonomike dhe teknike për të prezantuar para Qeverisë se cilat janë opsionet për blerjen e elektranave që punojnë me dizel.”, thonë nga Qeveria e RMV-së.

Këshilltari i Kryeministrit për energjetikë Viktor Andonov, tha se po analizohet mundësia për blerje të pajisjeve gjigande të gjeneratorëve për prodhim të energjisë elektrike, të cilat djegin naftë. Sipas tij, gjitha këto opsione janë si plan rezervë i shtetit për të furnizuar qytetarët me rrymë me çmim të njëjtë.

“Është shumë me rëndësi të theksojmë se qytetarët nuk do të mbeten pa energji elektrike, sasia për shpenzim të qytetarëve është paraparë me planin për prodhim të rrymës në EMV pa ndryshuar çmimet. Ata do të jenë të mbrojtur njësoj me konsumatorët e vegjël. Qeveria do të prezantoj planin nëse do të ndihmohen me energji elektrike ose masa tjera sepse deri në këtë moment akoma po diskutohet si do të ndihmohen kategoritë e prekura të qytetarëve dhe nëse mundet tu ndihmohet edhe disa prej kompanive“, tha Viktor Andonov, Këshilltari i Kryeministrit për energjetikë.

Dhjetë kompanitë më të mëdha nga vendi, të cilat shpenzojnë 20 për qind të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, akoma nuk morën përgjigje nëse do të përfshihen në masa kundër krizës energjetike të qeverisë. 6 prej tyre janë në treg të hapur të energjisë, faturat e të cilëve janë disa herë më të larta dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në rritje e çmimeve të produkteve finale në treg./Alsat.mk.

Të fundit