29/03/2024
14.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nesër dhe pasnesër skriningu i parë sqarues mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Ekipi negociues i Maqedonisë së Veriut nesër dhe pasnesër do ta ripërtërijë njohurinë e vet për legjislaturën e BE-së, në prag të fillimit të skriningut bilateral, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Ekipi, i përbërë nga Sekretariati për çështje evropiane (SÇE) dhe nga përfaqësues të institucioneve kompetente, nesër në Bruksel, ndërsa pasnesër në Luksemburg do të mbajë skrining sqarues me Komisionin evropian, për herë të parë prej vitit 2019.

Skriningu sqarues do të mbahet së bashku me ekipin negociues shqiptar. Të dy vendet do të ndahen kur do të fillojë skriningu bilateral, më herët për dy muaj.

Qëllimi i skriningut sqarues, si edhe në vitin 2019, është të informohen ekipet e vendeve negociuese për rrjedhën e risive në legjislaturën e BE-së. Duke pasur parasysh atë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë pasur skrining sqarues prej vitit 2019, ato duhet të kalojnë përmes përditësimit të ligjeve të fundit, aktvendimeve dhe vendimeve në secilin prej kapitujve prej atëherë e deri më sot. Në këtë pjesë të procesit, roli i vendeve që negociojnë është më shumë pasiv, marrin shënime dhe parashtrojnë pyetje.

Skriningu fillon me klasterin e parë, dhe më të rëndësishmin. Nesër takimi është i fokusuar në kapitullin pet – Furnizime publike. Pasnesër, ekipet nisen drejt Luksemburgut, ku po mbahet takimi për kapitullin 18 – Statistika. Që të dy kapitujt janë pjesë e klasterit të parë të famshëm, i njohur si “Themelet”. Kapitujt e tjerë në këtë klaster janë Drejtësia, Gjyqësia dhe Kontrolli financiar.

Nga Komisioni evropian për MIA-n deklaruan se ata mbeten tërësisht të përkushtuar në avancimin e procesit të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Kjo është hera e parë dhe hap i rëndësishëm në procesin negociues, tërësisht i mbështetur nga qeveritë dhe parlamentet e të dy vendeve”, deklaroi zëdhënësja Ana Pisonero për MIA-n.

Ajo shtoi se muajt e ardhshëm sjellin “program intensiv të punës” për të gjitha palët, ndërsa ajo do të fillojë me “Themelet”.

“Bëhet fjalë për takime teknike në të cilat është involvuar një numë i madh i ekspertëve, ndërsa ne jemi në kontakt të afërt me autoritetet për orarin e takimeve”, shtoi Pisonero për MIA-n.

Pasi që të përfundojnë skriningjet sqaruese, duhet të fillojnë ato bilaterale. Në këtë pjesë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ndahen.

Skriningu bilateral e hedh fokusin e vendit negociues i cili ekspertëve nga Komisioni evropian çdo herë duhet t’ua prezantojë përparimin në secilin kapitull. Pason raporti i Komisionit evropian i cili e vlerëson atë përparim, ndërsa raportin duhet ta miratojnë vendet anëtare të BE-së, përkatësisht Këshilli i BE-së.

Tani për tani konsiderohet se skriningu bilateral mund të fillojë diku nga nëntori, ndërkaq të përfundojë nga fundi i vitit të ardhshëm.

Ndërkohë Maqedonia e Veriut ka edhe një kusht shtesë politik, e ai është futja e komunitetit bullgar në Kushtetutë. Madje më pas Shkupi mund ta mbajë Konferencën e parë ndërqeveritare dhe t’i hapë kapitujt negociues.

Nesër takimi fillon në orën 9:15 në Bruksel. Ekipin e udhëheqë negociuesi kryesor, Bojan Mariçiq./zhurnal.mk/

Të fundit