24/04/2024
15.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nga miratimi i buxhetit për vitin 2023, pothuajse “të gjithë të kënaqur”!

Në Propozim-buxhetin për vitin 2023, të cilin Qeveria e miratoi një muaj më herët të ardhurat janë projektuar në 282,05 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 324,8 miliardë denarë. Deficiti i buxhetit është vlerësuar në 42,75 miliardë denarë. Por, edhe pas miratimit të këtij propozim buxheti nuk ka pasur reagimet nga partitë opozitare shqiptare, ndërkaq partia që nuk u pajtua me këtë propozim buxhet qysh gjatë zhvillimit të debatit ishte opozitarja maqedonase, VMRO-DPMNE. Kjo tregon që me propozimet qeveritare për buxhetin 2023 janë dakorduar edhe partitë opozitare shqiptare dhe janë të kënaqura me këtë propozim buxhet, shkruan Zhurnal.

Buxheti i miratuar në RMV për vitin 2023-

Në fund të nëntorit ka filluar debati në Kuvend për propozim buxhetin për vitin 2023, debat i cili ka zgjasë 10 ditë dhe është zhvilluar nga Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financim. Të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 282 miliardë denarë dhe janë më të larta për 14,8 për qind në krahasim me vitin 2022, kurse shpenzimet në nivelin prej 324,8 miliardë denarë ose janë 12,6 për qind më të larta në krahasim me vitin 2022. Deficiti buxhetor është në nivelin 4.6 për qind të PBV-së së planifikuar. Për shpenzime kapitale, nga ana tjetër, janë planifikuar 48,9 miliardë denarë, ose rreth 52,3 për qind më shumë se plani për vitin 2022.

Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e 98-të më 2 nëntor miratoi Projektbuxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023, të propozuar nga Ministria e Financave. Buxheti nga ana e shpenzimeve pritet të jetë 324,8 miliardë denarë, të hyrat parashihen të jenë 282,05 miliardë denarë, ndërsa deficiti 42,75 miliardë denarë. Në po këtë seancë u miratua edhe Projektligji për ekzekutimin e buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023.

Cilat parti nuk janë pajtuar me këtë buxhet të miratuar?

Por, jo të gjitha partitë politike pajtohen me këtë propozim buxhet tashmë të miratuar, deri në këto momente janë dorëzuar 263 amendamente, prej të cilave 200 ishin vetëm nga VMRO.

Për VMRO-DPMNE-në ky propozim-buxhet i vitit 2023 është joreal, inflacionist dhe shpërdorues. Grupi parlamentar i VMRO – DPMNE -së ka dorëzuar 200 propozim amendamente për buxhetin e propozuar për vitin e ardhshëm. Deputeti i kësaj partie, Bojan Stojanovski ka thënë se përmes këtyre amendamenteve, mes tjerash, kërkojnë ulje të akcizës së derivateve, me çka pritet të ndikojë edhe në uljen e çmimeve të produkteve, prolongim për një vit të tatimit progresiv dhe të gjitha ndryshimeve në tatimet për të ardhurat personale, si dhe fundjavë pa TVSH për produktet ushqimore.

“Amendamentet i përfshijnë edhe kërkesat e sindikatave, përkatësisht rritje të mjeteve për paga për administratën për 15 përqind. Le të pranohet ky amendament, ndërsa sindikatat dhe Qeveria le të dakordohen se si do të ndahen këto mjete. Kërkojmë edhe rritje të pagave në MPB për 10 përqind, por edhe vauçerë prej 3000 denarëve për të gjithë të punësuarit në sektorin publik për tre muajt e parë të vitit 2023” – tha Bojan Stojanoski, Deputet i VMRO – DPMNE-së.

Një pjesë e amendamenteve kanë të bëjnë edhe për investime në fushën e energjetikës, si dhe për përmirësimin e standardit të studentëve dhe nxënësve.

“100 milionë denarë për rekonstruim të konvikteve studentore, 100 milionë denarë për rehabilitim efikas energjetik të konvikteve studentore, 200 milionë denarë për ndihmë financiare për të gjithë nxënësit në arsim fillor dhe të mesëm të cilët vijnë nga familje me të ardhura deri sa paga mesatare, 200 milionë denarë për rritje të subvencioneve për racion studentor nga 120 në 160 denarë, 300 milionë denarë për avancimin e shkencës dhe punën hulumtuese shkencore” – tha Bojan Stojanoski, Deputet i VMRO – DPMNE-së.

Por, edhe pse partia më e madhe opozitare maqedonase nuk u pajtua me këtë propozim buxhet të miratuar, nuk u morë parasysh nga Qeveria asnjëri nga amendamentet e kësaj partie.

Nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët si partitë opozitare shqiptare nuk kanë reaguar për propozim buxhetin e miratuar, madje kur shikohen faqet e tyre zyrtare të partive në ditën që është miratuar propozim buxheti nga Aleanca për Shqiptarët me kryetarin në detyrë, Arben Taravari, kanë qenë në “muaj të mjaltit” në vizita në Tiranë e takime me liderë politikë atje. Ndërkaq, nga Lëvizja Besa edhe pas miratimit të buxheti nuk ka pasur asnjë reagim. Nga kjo nënkuptohet se këto parti janë të kënaqura me këtë buxhet tashmë të miratuar.

Çfarë parashihet në Buxhetin për vitin 2023?

Infrastrukturë: zgjerimi i autostradës Tetovë-Gostivar, ndërtimi i autostradës së re Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë, ndërtimi i pjesës Gostivar-Bukojçan dhe pjesës Prilep-Manastir. Gjithashtu, Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore do të përgatisë studim fizibiliteti për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Do të vazhdojë edhe ndërtimi i pjesës lindore të Korridorit rrugor 8 nëpërmjet pjesës Rankovcë-Kriva Pallankë, pjesës Kriva Pallankë deri në kufirin me Bullgarinë, si dhe ndërtimi i pjesës perëndimore të Korridorit rrugor 8, ndërtimi i autostradës Kërçovë-Bukojçan dhe Kërçovë-Ohër. Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë do të financohet me hua nga BERZH-i.

Rikonstruimi i linjës hekurudhore të Korridorit 10, si dhe parashihen mjete për vazhdimin e realizimit të fazës së parë dhe të dytë të projektit për ndërtimin dhe rehabilitimin e pjesës lindore të linjës hekurudhore – Korridori 8 – pjesa Kumanovë – Beljakovcë-Kriva Pallankë.

Mjedis: nga aspekti i mjedisit jetësor ka një numër të madh të projekteve kapitale. Vazhdon edhe Projekti për përkrahjen e përmirësimit të shërbimeve komunale, me të cilin financohen projekte kapitale në komuna.

Shëndetësi: për sektorin shëndetësor janë planifikuar investime për ndërtimin dhe rikonstruimin e institucioneve shëndetësore publike, prokurimin me pajisje mjekësore.

Arsim: mbrojtjen e fëmijëve dhe sportin janë planifikuar investime kapitale, të cilat janë destinuar për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave fillore dhe të mesme, kopshteve të fëmijëve, ndërtimin e shkollave dhe sallave sportive, rikonstruimin e konvikteve të nxënësve, prokurimin me pajisje dhe rikonstruimin e universiteteve dhe investime në infrastrukturën e sportit

Megjithatë, parashihen edhe investime të konsiderueshme kapitale, të cilat destinohen për zhvillimin rural, ndërtimin e hidrosistemeve dhe investimet për përmirësimin e konkurrencës dhe modernizimin e ekonomive bujqësore. /Zhurnal.mk

Të fundit