24/04/2024
14.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ngritet flamuri i BE-së në Tiranë me ceremoni

Në oborrin e Kryeministrisë u zhvillua mëngjesin e sotëm ceremonia e ngritjes simbolike e flamurit të Bashkimit Evropian pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Pas ngritjes së flamurit dhe luajtes së himnit kombëtar, kryeministri Rama iu drejtua të pranishmëve duke i falënderuar për pjesëmarrjen.

“Sot është një ditë e re për Shqipërinë dhe ju falënderoj shumë të gjithëve ju që jeni këtu bashkë me mua për ceremonialin e ngritjes së flamurit të BE-së, pas çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e bashkuar evropiane”, u shpreh Rama.

“Prania juaj këtu është më shumë sesa një prani protokollare, sepse ju dhe institucionet që përfaqësoni jeni drejtpërdrejt contributor në ndërtimin e rrugës evropiane të Shqipërisë. Ngritja e këtij flamuri sot në selinë e Kryeministrisë, shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel, jo vetëm në marrëdhëniet me BE, po edhe në të ardhmen e saj, me liritë dhe të drejtat, sigurinë dhe zhvillimin e saj në çdo drejtim”, tha Rama.

Por, shtoi Rama, “ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimeshtë marrëdhënieve të shoqërisë dhe të qytetarit shqiptar me vlerat, parimet, standardet, rregullat dhe frymën e bashkëjetesës demokratike evropiane”.

Ai u zotua të shtojë angazhimin dhe të ngrejë qeverisjen në një nivel të ri, ku përmendi dhe mbështetjen për lirinë e medias.

“Kjo fazë e re kërkon një mbrojtje të re të të drejtave të gazetarëve si zëdhënës të interesit publik, por dhe si punëmarrës, prandaj ne do të angazhohemi në të dyja frontet, qoftë për të reflektuar mbi gabimet tona dhe për të përsosur vijën e sjelljes, por qoftë dhe për të ndërvepruar me komunitetin e gazetarëve dhe përfaqësuesit e tyre, në funksion të zgjidhjes së halleve dhe problemeve të tyre të mëdha në raport me punëdhënësit”, u shpreh kryeministri.

Rama nënvizoi se hapja e negociatave nuk e bën rrugën e anëtarësimit më të lehtë, por shumë më sfiduese.

Ndër të tjera kryeministri u kërkoi falje shqiptarëve, për gabimet të cilat është i vetëdijshëm dhe ato që ende nuk i ka kuptuar, ndërsa siguroi se nuk ka bërë asnjë gabim me qëllim përfitimin në kurriz të të tjerëve.

“Nga thellësia e shpirtit ju them sot të gjithëve se kurrë nuk kam qenë më i bindur dhe më i motivuar për ta merituar besimin e tyre (shqiptarëve). Zoti i bekoftë shqiptarët, Zoti e bekoftë Shqipërinë evropiane”, u shpreh Rama.

Rama gjithashtu u shpreh se do të kishte dashur dhe praninë e opozitës në ceremoni sepse me nisjen e negociatave dhe fryma e bashkëpunimit mes partive politike në vend duhet të ndryshojë.

Rama theksoi se ky hap i rëndësishëm nuk mban vetëm vulën e mazhorancës, por dhe punën e opozitës.

Sidoqoftë, kryeministri u shpreh se opozita ndodhet në një hendek të madh, ku një pjesë janë në kundërshtim me parimet e BE-së, ndërsa sipas tij pjesa tjetër ndryshon vetëm sepse nuk janë shpallur si “të padëshiruar” nga partnerët ndërkombëtar.

“Dhe këta të dytët, edhe kur i fton nuk vijnë sepse kanë frikë nga të parët. Kështu që hë për hë do bëjmë siç kemi bërë gjithmonë se gjë tjetër nuk bëjmë dot edhe po të duam”, tha Rama.

Kryeministri gjeti rastin për të falënderuar edhe njëherë partnerët ndërkombëtar, pa të cilët, kjo ditë historike, sipas Ramës, nuk do të ishte e mundur.

Këtë të martë në Bruksel u zhvillua Konferenca e parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Hapja e negociatave do të thotë një proces teknik që do të nisë me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit shqiptar që të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Të fundit