20/04/2024
2.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nisma e partisë “E Majta” për shkarkimin e Fadil Zendelit para gjyqtarëve kushtetues

Në rend dite të seancës së sotme të Gjykatës Kushtetuese është rasti i krijuar me nismë të partisë politike E Majta, me të cilin kontestohet vendimi i Kuvendit të datës 3 mars 2022 për shkarkimin e anëtarit të Komisionit kuvendor për zgjedhje dhe emërime, Fadil Zendeli.

Parashtruesi i nismës konsideron se deputeti nuk mund të shkarkohet nga trupi punues i Kuvendit pa propozim të Komisionit amë për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, sepse është në kundërshtim me parimin kushtetues të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

Në pretendimet e nismës thuhet se akti i kontestuar cenon sistemin e hierarkisë normative dhe mundëson anashkalimin e normave të parapara kushtetuese dhe juridike.

Sipas parashtruesit, ndër të tjera, akti i kontestuar në mënyrë kumulative nuk i plotëson të gjitha rregullat për të qenë në rend dite të seancës kuvendore.

Shkarkimi i Zendelit u kërkua pasi Lëvizja Besa doli në opozitë dhe opozita kishte shumicën në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në vend të qeverisë.

Për shkak të bllokimit së punës së Komisionit është pezulluar zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, si dhe emërimet e tjera.

Në rendin e ditës të seancës së sotme të Gjykatës janë iniciativat e paraqitura për dispozitat e Ligjit për ndërmjetësim dhe Ligjit për sigurimet pensionale dhe invalidore.

Të fundit