24/04/2024
7.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nuk ka ende Plan Detal Urbanistik të ri për Kodrën e Diellit, Kasami: Procedura drejt fundit

Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në fillim të vitit deklaroi se deri në fund të vitit 2022 do të miratohet Plani Detal Urbanistik për Kodrën e Diellit. Ka ngelur edhe një muaj e gjysmë deri në mbarim të vitit ndërsa kjo nuk është bërë ende. I pyetur nga Portalb.mk ai tha se kjo është në fazën finale por pa precizuar afat konkret.

Në debatin e organizuar për Kodrën e Diellit me 28 janar të këtij viti, Kasami deklaroi kështu:

“Përkushtimi jonë është që atë që e kemi si përgjegjësi sa i përket përpilimit të Planit Detal Urbanistik është që në vitin 2022 përfundimisht të kemi një plan të miratuar urban për Kodrën e Diellit, nga i cili çdo kush do të përfundojë sepse do të ndërpriten ndërtimet pa leje dhe njëherë e përgjithmonë gjithçka që do të ndërtohet do jetë e bazuar në një Plan të Detajuar Urban.”

Por, sot që jemi një muaj e gjysmë larg vitit të ri, pyetëm Kasamin se deri në çfarë pike është kjo procedurë. Kështu u përgjigj Kasami:

“Sa i përket Kodrës së Diellit jemi në përfundim të procedurës së miratimit të planit për Kodrën e Diellit, gjithashtu opinioni është i njoftuar që veç më kemi përgatitur edhe projekt për një rrugë të re e cila do jetë komplet e re rreth tre kilometra, me të cilën ne vlerësojmë që do të zgjidhet pjesërisht problemi i Kodrës së Diellit. Gjithashtu, ditët e kaluara unë kam pasur edhe ekspert të urbanizmit nga Turqia të cilët janë të angazhuar në Komunën e Tetovës me të cilët përpilojmë një plan për një zonë të re turistike që do të ndërlidh një pjesë në qytet, gondolën nga qyteti deri në Kodrën e Diellit dhe një pjesë turistike në Kodrën e Diellit.”

Përndryshe, Kodra e Diellit konkretisht lagja e vikend-shtëpizave përballet me probleme të ndryshme, si ajo e ndërtimeve pa leje, infrastrukturë rrugore e dëmtuar, kaos në trafik gjatë sezonës dhe të tjera. Sipas Sektorit të Urbanizmit në Komunën e Tetovës për momentin po procedohen 125 lëndë për legalizimin e objekteve në Kodrën e Diellit. Nga këto, për 60 duhet të dilet në terren dhe të konstatohet gjendja faktike, ndërsa 65 të tjerëve u mungon dokumentacioni të cilin ato duhet ta dorëzojnë. Ndërkaq së fundmi nga inspektorati komunal u shembën dy ndërtime pa leje.

Rikujtojmë që gjatë seancës së djeshme të qeverisë u miratua propozim-projekti për një projekt investimi strategjik në qendrën e skijimit Kodra e Diellit ka marrë dritën e gjelbër. Ministri Nuredini tha se kompania evropiane, TechnoAlpin, merret me prodhimin dhe instalimin e sistemeve të borës artificiale dhe projektimin e fushave dhe terreneve të skijimit ka dhënë ofertë serioze për zhvillimin e qendrës së skijimit Kodra e Diellit. Investimi parashikohet të jetë 186 milionë euro

nvestimi duhet të realizohet duke filluar nga viti 2023 dhe do të realizohet në 6 faza investimi, e para prej të cilave kap shumën rreth 55 milionë euro.

Në fazën e parë do të realizohet:

Investim në vendosjen e dy teleferikëve të rinj me 6/8 ulëse
Dy shtigje të reja skijimi
Instalim i sistemeve për borë artificiale
Adventure Park, kënd lojërash, hapësirë për rekreacion dhe relaksim
Parking i ri i asfaltuar me hapësirë për parkim të 600 veturave
Ndërtimin e rrugëve të reja qasëse
Ndërtimi i dy hoteleve të reja, të kategorisë me 4*
Investim në dy mjete të reja për rregullimin e shtigjeve të skijimit

Të fundit