29/03/2024
18.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nuk ka viza për punëtorë të pakualifikuar

Punëtorët e pakualifikuar nuk do të mund të marrin viza sipas planit të prezantuar nga Qeveria britanike, pas largimit të këtij shteti nga Bashkimi Evropian më 31 janar.

Zyra për të Huaj ka thënë se qytetarët e Bashkimit Evropian dhe ata që nuk i përkasin BE-së, do të trajtohen në mënyrë të barabartë në Britani, pasi të përfundojë periudha transitore mes këtij shteti dhe bllokut evropian më 31 dhjetor të këtij viti.
Ka pasur zëra se ky “ambient armiqësor” do të vështirësojë arritjen e punëtorëve, mirëpo Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel, ka thënë se sistemi i ri ka të bëjë me dërgimin “e me të mirëve” në Britani.

Ajo ka thënë për BBC-në se qeveria dëshiron “të inkurajojë ardhjen e njerëzve me talent” dhe të “zvogëlojë shifrat e njerëzve që arrijnë në Britani të pakualifikuar”.

Ajo ka thënë se sistemi dëshiron “të sigurojë që Britania të ketë njerëz të talentuar dhe produktivë në të ardhmen”.

Qeveria, e cila ka thënë se synon të ulë numrin e migrantëve në Britani, ka thënë se dëshiron të krijojë sistem të imigrimit “të bazuar në pikë”, siç edhe kishte premtuar gjatë zgjedhjeve.

Sipas kësaj skeme, punëtorët që dëshirojnë të punojnë në Britani, duhet të flasin gjuhën angleze dhe të kenë ofertë për një punë me “sponsor të miratuar”.
Nëse një kandidat përmbush këto kërkesa, ai fiton 50 pikë.
Sistemi i përshtatjes

Në total, imigrantët duhet të kenë 70 pikë për të punuar në Britani, në të cilat përfshihen kualifikimet, ofertat e pagës dhe gjetja e punës në ndonjë sektor ku ka nevojë për më shumë punëtorë.

Mirëpo qeveria ka thënë se nuk do të prezantojë skema për punëtorë të pakualifikuar, duke iu bërë thirrje bizneseve “që të përshtaten” me rregullat derisa t’i jepet fund lëvizjes së lirë mes BE-së dhe Britanisë.
Qeveria po ashtu ka prezantuar skemën për punëtorë sezonalë në sektorin e bujqësisë, duke thënë se synon të pranojë 10,000 punëtorë, bashkë me “marrëveshjet për të rinjtë”, që nënkupton se rreth 20,000 të rinj mund të shkojnë atje çdo vit.

Presidentja e Unionit Kombëtar të Fermerëve ka ngritur “shqetësime serioze” për “dështimin e shqyrtimit të nevojave të ushqimit britanik” në planet e prezantuara.

Federata e Ushqimit dhe Pijeve ka thënë se është po ashtu e shqetësuar për furrtarët, përpunuesit e mishit dhe punëtorët, që përgatisin djathë e ushqime tjera, por që nuk janë të kualifikuar sipas sistemit të ri.

Sa u përket studimeve, personat që synojnë të shkojnë në Britani duhet të kenë ofertën e institucionit edukues, të njohin gjuhën angleze dhe të tregojnë se mund të mbështesin veten financiarisht.

Ndryshimet në sistem do të mund të zbatohen përmes një projektligji për imigrimin, që duhet të miratohet nga ligjvënësit.

Zëdhënësja për Punë të Brendshme e Liberal-Demokrate, Christine Jardine, ka thënë se propozimet janë të bazuara në “ksenofobi”.

Ndërkohë, ministrja e parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, ka thënë se këto plane do të ishin “shkatërruese” për ekonominë skoceze. “Demografia jonë nënkupton që neve na duhet të sjellim më shumë njerëz këtu dhe ky plan e bën këtë gjë shumë të vështirë”. “Marrja e kompetencave për migrimin në Parlamentin skocez është domosdoshmëri për të ardhmen tonë”, ka shtuar mes tjerash ajo./REL

Të fundit