20/04/2024
6.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Nuk pranojmë ftesa përmes Facebook-ut” – tre profesorët refuzuan ministrin Sali

Profesorët universitar Naum Panovski, Dragan Danilovski dhe Velo Markovski refuzuan thirrjen e ministrit të Shëndetësisë Bekim Sali që të jetë pjesë e Komisionit për Sëmundje Infektive. Një gjë e till nuk bëhet përmes Facebook-ut, porositën mjekët ministrin pasi përmes një statusi në profilin e tij në Facebook i ftoi të bëhen anëtar në KSI, transmeton Portalb.mk.

Mikrobiologu Panovski thotë se nuk e ka aspak problem të këshillojë kreun e shëndetësisë, por megjithatë mënyra se si është ftuar nuk meriton të komentohet.

“Nuk më kanë kontaktuar, ndërsa këtë ftesë e mora vesh nga kolegët tuaj! Këshilla i jap secilit, sigurisht që do ta këshilloja ministrin, në Komision sigurisht që nuk hyj në këtë mënyrë. Ftesa publike është e kotë për mua të komentohet. Unë nuk jam në një nivel aq të ulët që ta pranoj atë lloj komunikimi”, tha dr. Panovski për “Fokus”.

Epidemiologu dhe ish-ministër i Shëndetësisë Danilovski qysh para një muaji është shprehur se nuk ka ndërmend të jetë anëtar i Komisionit.

“Nuk e pranoj propozimin e askujt për anëtarësim në Komisionin për Sëmundjet Infektive në Ministrinë e Shëndetësisë. Ky qëndrim im bazohet në vetëdijen se Komisioni për Sëmundjet Infektive nuk mund të funksionojë kurrë në mënyrë autonome, sado që anëtarët të përpiqen që të jetë ashtu! Pse? Pasi ky insitucion është vetëm organ këshillimor i ministrit të Shëndetësisë. Nuk ka kompetencë të marrë vendime ekzekutive, por vetëm konkluzione, të cilat ia propozon ministrit. Ai mund, por mund të mos i pranojë ato. Vendimi përfundimtar është vetëm i tij dhe duhet të jetë i zbatueshëm. Mirëpo, as vendimet e tij gjatë pandemisë nuk janë të zbatueshme. Duhet të kalojnë në Shtabin e Krizave të Qeverisë – eventualisht të modifikohen (ndikimi i politikës!) – dhe vetëm atëherë të pranohen zyrtarisht nga qeveria. Në një ambient të tillë është e papranueshme që unë të sakrifikoj autonominë time”, pohoi dr. Danilovski.

Dr. Markovski thotë se Komisioni është këshillëdhënës i ministrit pa ndikim të konsiderueshëm në çfarëdo masash.

“Unë në fillim të vitit 2020 propozova komision për Covid-19 si organ qeveritar, vendimet e të cilit do të jenë të detyrueshme për të gjithë, fatkeqësisht nuk u pranua. Nga ana tjetër, nuk është serioze të ftohen ekspertë përmes Facebookut. Gjithashtu mendoj se ministri me të gjitha vendimet kadrovike dhe profesionale duhej të dilte gjatë zgjedhjes së tij në Kuvend”, thotë për Sitel profesori Velo Markovski.

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, dje u ka dërguar ftesë publike doktorëve Dragan Danillovskit, Nikolla Panovskit dhe Velo Markovskit që të jenë pjesë e Komisionit të ri për Sëmundje Infektive.

Pas marrjes së funksionit, ministri Sali paralajmëroi se do ta formojë Komisionin e Sëmundjeve Infektive. Ky është një organ këshillëdhënës, në përbërjen e të cilit përfshihen ekspertë, të cilët përmes interpretimeve shkencore do të na mundësojnë të propozojmë masa efikase, me kohë dhe ato t’i azhurnojmë në pajtim me gjendjen epidemiologjike.

Sipas tij, është fakt i pamohueshëm se rrethanat aktuale kërkojnë veprim të fuqizuar dhe të koordinuar, gjithsesi të mbështetur në vlerësime profesionale dhe reale.

“Siç e dini, unë tashmë kam paralajmëruar se ndryshimet që do të ndodhin në këtë organ do të jenë në drejtim të zgjerimit dhe plotësimit të përbërjes së tij me kuadro të reja e profesionale të më shumë fushave. Prandaj, me qëllim që ky proces të jetë efektiv dhe i suksesshëm, dëshiroj t’u bëj ftesë publike edhe profesorëve të njohur, Dr. Dragan Danillovski, Dr. Nikolla Panovski dhe Dr. Velo Markovski, që të bëhen anëtarë të Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse dhe kështu të kontribuojnë në punën e tij. Unë kam kënaqësi që ftesën për këta ekspertë ta bëj publikisht, duke u bazuar në ndjekjen e debatit publik rreth mundësisë së përfshirjes së tyre në Komisionin e Sëmundjeve Infektive”, shkruan Sali.

Siç thotë ai, zëri i shkencës është jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftën kundër Covid-19.

“Ta shfrytëzojmë atë në mënyrën më të mirë. Nëse për çfarëdo arsye nuk kanë mundësi të bëhen pjesë e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, u bëj ftesë publike që të jenë pjesë e ekipit tim të këshilltarëve”, shton Sali.

Të fundit