28/06/2022
31.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Numri i viktimave nga tërmeti në Afganistan shkon në 920 – raportohet se qindra të tjerë kanë pësuar lëndime

Një tërmet i fuqishëm ka vrarë të paktën 920 njerëz në Afganistan si dhe ka lënduar qindra të tjerë, thonë zyrtarët talebanë.

Imazhet tregojnë rrëshqitjet e dheut dhe shtëpitë e rrënuara të ndërtuara prej balta në provincën lindore të Paktikas, ku ekipet e shpëtimit po përpiqen të trajtojnë të lënduarit.

Në zonat e largëta, helikopterët kanë transportuar viktimat në spitale.

Udhëheqësi i talebanëve, Hibatullah Akhundzada tha se qindra shtëpi u shkatërruan dhe numri i viktimave ka gjasa të rritet.

Zëvendësministri i tij për menaxhimin e fatkeqësive, Sharafuddin Muslim tha në një konferencë shtypi se të paktën 920 njerëz kanë vdekur dhe 600 të tjerë janë lënduar.

Tërmeti ndodhi rreth 44 kilometra nga qyteti juglindor i Khost, në orët e para të mëngjesit (kohë lokale), kur shumë njerëz ishin në shtëpi, duke fjetur në shtretërit e tyre.

Tërmetet priren të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në Afganistan, ku ka shumë zona rurale ku banesat janë të paqëndrueshme ose të ndërtuara keq.

Zyrtarët talebanë kërkuan që agjencitë e ndihmës të nxitojnë në zonat e prekura në lindje të vendit.

Shumica e viktimave deri më tani ishin në rrethet Gayan dhe Barmal në Paktika, tha një mjek lokal për BBC. Faqja e medias lokale “Etilaat-e Roz” raportoi se një fshat i tërë në Gayan ishte shkatërruar.

Lëkundjet u ndjenë në më shumë se 500 kilometra në Afganistan, Pakistan dhe Indi. Dëshmitarët raportuan se e ndjenë tërmetin në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, si dhe në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad.

Megjithatë, nuk ka pasur raporte të menjëhershme për viktima, dhe tërmeti shkaktoi pak dëme në Pakistan, sipas BBC Urdu.

Të fundit