25/04/2024
7.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

OKB: Të paktën 1.119 civilë kanë humbur jetën në Ukrainë

OKB-ja njoftoi se në luftën Rusi-Ukrainë të paktën 1.119 civilë kanë humbur jetën, 1.790 të tjerë janë plagosur ndërsa 3.821.049 refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) janë ndarë të dhëna të marra nga burime ndryshme lidhur me krizën e refugjatëve në Ukrainë.

Sipas UNHCR-së, që nga data 24 shkurt deri më 26 mars gjithsej 3.821.049 refugjatë kaluan nga Ukraina në vendet fqinje, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre në Poloni.

Vendet fqinje ku ukrainasit kanë kaluar më shumë janë Polonia (2.267.103), Rumania (586.942), Moldavia (381.395), Hungaria (349.107) dhe Sllovakia (272.012). Në njoftimin e UNHCR-së po ashtu thuhet se për periudhën 21-23 shkurt nga rajonet Donetsk dhe Luhansk kanë kaluar në Rusi 50 mijë njerëz.

Dihet që qindra mijëra refugjatë që kalojnë nga Ukraina në vendet fqinje shpërndahen më pas në vendet e tjera të Evropës.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) e lidhur me OKB-në ka theksuar se brenda Ukrainës janë zhvendosur 6.5 milionë civilë ku në këtë mënyrë bashkë me refugjatët që kanë kaluar në vendet fqinje numri i ukrainasve të zhvendosur ka arritur në 10 milionë.

Kanë humbur jetën të paktën 1.119 civilë

Sipas të dhënave të UNHCR-së, të paktën 1.119 civilë kanë humbur jetën dhe 1.790 të tjerë janë plagosur në luftën Rusi-Ukrainë gjatë periudhës 24 shkurt – 26 mars.

Në njoftim paralajmërohet se numri i civilëve të vdekur dhe të plagosur mund të jetë shumë më i lartë se numri i përcaktuar.

Shumica e humbjeve civile kanë burim përdorimin e armëve shpërthyese me një gamë të gjerë veprimi, përfshirë sulmet ajrore dhe bombardimet nga artileritë e rënda dhe sistemet multi-raketahedhësve.

OKB-ja deklaron vetëm shifrat që mund të konfirmojë në lidhje me viktimat civile në Ukrainë. Sipas autoriteteve ukrainase, numri i civilëve që kanë humbur jetën është shumë më i lartë.

Të fundit