24/04/2024
8.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Osmani: Ekzistenca e “murit të ndarjes” mes njerëzve është e paqëndrueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të OSBE-së

“Liria e lëvizjes së njerëzve në Odzisi është plotësisht e bllokuar nga një “mur ndarjeje” që është për të ardhur keq dhe e papranueshme në shekullin e 21-të”.

Këtë e theksoi Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, i cili sot ka bërë vizitë në terren në vendkalimin Odzisi në Gjeorgji, ku ka pasur rastin t’i shohë drejtpërdrejt efektet në popullatën e ndarë si pasojë e konfliktit të vitit 2008.

“Njerëzit këtu nuk kanë mundësi t’i vizitojnë të afërmit dhe miqtë e tyre, të shfrytëzojnë tokën bujqësore, janë të privuar nga mundësia për të vizituar objektet fetare. Kjo situatë është e paqëndrueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të OSBE-së dhe idealet civilizuese”, tha Osmani.

Osmani bëri thirrje për hapjen sa më të shpejtë të vendkalimeve, veçanërisht në prag të Festave të Pashkëve.

“Njerëzit duhet ta rifitojnë lirinë e tyre të lëvizjes si e drejtë themelore e njeriut dhe Kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në do të bëjë të gjitha përpjekjet për t’i ndihmuar ata që janë drejtpërdrejt të rrezikuar nga konflikti”, theksoi Osmani.

Osmani vizitoi Odzisin i shoqëruar nga Misioni Monitorues i BE-së. I falënderoi ata për punën e tyre në terren në 15 vitet e fundit së bashku me përfaqësuesit e OSBE-së, veçanërisht në parandalimin e tensioneve të reja dhe lehtësimin e kthimit në një jetë të sigurt dhe normale.

Nga Odzisi, Osmani u nis për në Tserovani, shtëpia e një komuniteti të personave të zhvendosur brenda vendit pas konfliktit të vitit 2008. Osmani pati mundësinë t’i dëgjojë rrëfimet e tyre dhe të ofrojë mbështetje për të përmirësuar jetën e tyre të përditshme.

“Ju siguroj se unë si Kryesues i OSBE-së së bashku me partnerët tanë do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të përmirësuar gjendjen e të gjithë personave të zhvendosur dhe të margjinalizuar si dhe familjeve të të zhdukurve”, tha kryesuesi Osmani.

Tserovani ndodhet jo shumë larg nga Tbilisi dhe është një nga vendbanimet më të mëdha të krijuara nga autoritetet gjeorgjiane për t’u kujdesur për personat e zhvendosur brenda vendit që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre pas konfliktit në vitin 2008.

Të fundit