Gjatë dy ditëve të ardhshme pritet që vendit t’i dorëzohet drafti i parë i kornizës negociuese, që do t’u dorëzohet vendeve anëtare për shqyrtimin e saj në kuadër të trupave të Këshillit të BE-së. Deri në fund të muajit, në kuadër të presidencës kroate, pritet version që do të përfshijë edhe qëndrimet fillestare të anëtarëve të BE-së, pas së cilës procesi do të vazhdojë në kuadër të presidencës gjermane.
Këtë e deklaroi sot në konferencë për media zëvendëskryeministri i Çështjeve Evropiane Bujar Osmani, i cili bëri thirrje për ndërtimin e një konsensusi politik shoqëror për prioritetet e integrimit evropian si interes mbinacional, mbipartiak dhe strategjik i vendit dhe gjithë qytetarëve.
Osmani shtoi se drafti i kornizës së bisedimeve do të shoqërohet nga një mini-raport mbi situatën dhe përparimin e vendit dhe do t’i dorëzohet organit të përbërë nga ambasadorë të shteteve anëtare në Bruksel të quajtur KOREPER, dhe më pas ky draft kornizë negociatash do t’i dorëzohet KOELA – Komitetit të Zgjerimit të BE-së, organ pune i përbërë nga përfaqësues të të gjithë anëtarëve.
Me këtë, siç sqaroi zëvendëskryeministri ka filluar edhe harmonizimi faktik i vetë kornizës duke i ndjekur qëndrimet e vendeve anëtare.
Theksoi se harmonizimi i kornizës së negociatave për vendet e tjera ka zgjatur dy deri në tre muaj, ndërsa për ne kjo do të thotë që procesi do të vazhdojë në kuadër të presidencës gjermane, e cila, sipas tij, është sinjal i mirë për ne duke pasur parasysh pozicionin drejtues të Gjermanisë në këtë proces të zgjerimit.
“Është procedurë standarde që të gjitha shtetet anëtare ose vendet negociuese e kanë kaluar, por ajo që është e rëndësishme për ne është që shënon një hap të ri, nivel i ri për të filluar negociatat, gjegjësisht konferencën e parë zyrtare ndërqeveritare që e presim në vjeshtë”, tha Osmani.
Rezultati i negociatave, siç potencoi, të gjithë do na përfshijë drejtpërdrejtë dhe për këtë, krahas BE-së, për fillimin e negociatave duhet të përgatitemi edhe ne.
“Si kryenegociator me BE-në, besoj se ka çështje që ne si shoqëri duhet të iniciojmë debat dhe të dakordohemi të mirëpresim konferencën e parë ndërqeveritare dhe fillimin e negociatave. Këtu nuk llogaris në përgatitjet administrative-teknike dhe ekspertëve. Sot dua të them që kemi nevojë për përgatitje politike. Ndërtimi i një konsensusi socio-politik për prioritetet e integrimit evropian si një interes mbinacional, mbipartiak, strategjik i shtetit dhe të gjithë qytetarëve”, tha Osmani.
Ai bëri thirrje për ndërtimin e një konsensusi të përbashkët politik dhe shtetëror, me pjesëmarrjen e koordinuar të Presidentit të vendit, në një shoqëri gjithëpërfshirëse, me përfshirjen e të gjitha subjekteve politike në të cilat, siç tha ai, interesat e partisë do të hiqen nga procesi i integrimit në BE.
“Integrimin evropian e kemi prioritetin më të lartë strategjik të vendit, me përfshirjen e plotë të përfaqësuesve politikë, pavarësisht nëse ata vijnë nga pushteti apo opozita. Këtu po flas për kthimin sa më të shpejtë të funksionalitetit të plotë të organeve parlamentare në Këshillin kombëtar për integrime evropiane, të udhëhequr nga opozita, Komisioni për çështje evropiane”, thotë zëvendëskryeministri.
Vlerësoi se nevojitet krijim i konsensusit, me të cilin do të sigurohet mbështetje e gjerë politike e cila do të lirohet nga presionet e mundshme partiake dhe politike në punën e saj, dhe për të cilën do të krijojmë besim të gjerë.
“Në këtë konsensus të gjerë shoqëror, komuniteti akademik, bashkësia e biznesit, shoqëria civile, media do të gjejnë një vend të përshtatshëm … Kohës për përpjekje deklarative po i vjen fundi, ndërkaq fillon koha për shndërrimin e tyre në politika reale. Procesi i integrimit nuk ka ndalur në asnjë moment, ne jemi duke pritur objektivisht fillimin e negociatave së shpejti”, tha Osmani në konferencën për media para ndërtesës së SÇE-së. sn/