20/04/2024
5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Osmani: Mosrespektimi i masave është rezultat i lajmeve të rreme

Problemi më i madh në vend nuk është mosrespektimi i masave të mbrojtjes nga koronavirusi, por lajmet e rreme që mbizotërojnë dhe i tejkaluan faktet empirike të institucioneve, pretendon Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani. Siç theksoi ai, tani është koha që Qeveria të ndërmarrë veprime radikale dhe drastike kundër burimeve të këtyre lajmeve të rreme dhe teorive konsiprative.

Osmani, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas prezantimit të sotëm të ndihmës së BE-së për ballafaqimin me Kovid-19, tha se mosrespektimi i masave nuk është arsye, por pasojë e faktit që qytetarët e kanë humbur besimin te virusi dhe rreziku që ai paraqet. E gjithë kjo, sipas tij, është rezultat i lajmeve të rreme.

“Problemi më i madh për momentin është se mbizotërojnë lajmet e rreme, të cilat fatkeqësisht arritën t’i tejkalojnë faktet empirike që i tregojnë institucionet. Sot kemi situata kur të afërmit na thërrasin për të intervenuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive që të mos i vendosin prindërit në respirator, sepse ekziston një besim midis njerëzve se nëse shkojnë në Infektive nuk do të dalin të gjallë, për këtë arsye i fshehin simptomat dhe 33 për qind prej të hospitalizuarve arrijnë vonë pas tetë deri në nëntë ditë mjekimi në shtëpi, sepse dikush ka përhapur një lajm kaq të rremë që pacientët po vriten në Spitalin Infektiv. Sot ka njerëz që nuk pranojnë të testohen, duke besuar se është i panevojshëm sepse virusi nuk ekziston”, tha Osmani.

Ai potencoi se tani është koha që qeveria të ndërmarrë veprime radikale dhe drastike kundër burimeve të lajmeve të rreme dhe të bisedojë me njerëzit në të gjitha nivelet e mundshme për t’i hedhur poshtë këto teori konspirative. Ai sqaroi se kjo nuk e përfaqëson qëndrimin e Qeverisë.

“Këtë tashmë disa ditë po përpiqem edhe në qeveri ta potencoj, por edhe në publik. Unë mendoj se nëse diçka na bën të ndryshëm nga vendet e tjera për sa i përket këtij kulmi, është fakti që lajmet e rreme arritën ta përdorin brishtësinë psikologjike të qytetarëve nga kjo kohëzgjatje e tepruar e situatës, në mënyrë që ata të imponojnë disa ide të rreme”, shtoi Osmani.

Ai tha se ka biseduar me kreun e ri të Bashkësisë Fetare Islame të cilit i tregoi se është e papranueshme që të gjitha autoritetet fetare të mos komunikojnë me njerëzit gjatë kësaj periudhe, për t’i hedhur poshtë këto teori të rreme të komplotit se virusi nuk ekziston ose nuk ishte i rrezikshëm, ndërsa paraqitja te mjeku do të thotë rrezik për jetën. Pikërisht tash është koha, përsëriti Osmani, për një luftë drastike kundër lajmeve të rreme. ls/shk/

Të fundit