23/05/2022
15.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Osmani në Bruksel: Dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut, temë kryesore e brifingut

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ndodhet në vizitë në Bruksel ku ka realizuar mëngjes pune me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i organizuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendijas, njofton Portalb.mk.

“Dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut, temë kryesore e brifingut, në kontekst të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Takimi i përforcuar me prezencën e përfaqësuesit të lartë të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së KE-së, Josep Borell dhe komisionerit evropian për zgjerim, Oliver Varheji”, shkruan Osmani në FB.

Ai shton se ngjarjet aktuale kanë ndërruar kontekstin e bisedave tona, por edhe të prioriteteve gjeopolitike dhe strategjike të kontinentit evropian.

“Dialogu ynë bën kthesë në raport me urgjencën e sjelljes së vendimeve që do ta determinojnë të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut në BE, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Unioni tregoi se di të bashkohet në kohëra historike, për t’i sjellë vendimet e duhura, të ndërtojë konsensus, ndërsa ne dëshmuam se 100% qëndrojmë pas këtyre vendimeve”, thotë Osmani.

Më 14 mars zëvendëskryetari i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme Zhozep Borell, ka zhvilluar takime me krerët shtetëror të RMV-së.

Borell foli edhe për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, me ç’rast tha se dy vendet duhet që sa më shpejt të fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian, përkatësisht mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me këto dy vende. Në pyetjet e gazetarëve, ai tha se nuk mund të premtojë fillimin e negociatave në qershor, por as nuk mund të japë ndonjë datë tjetër, megjithatë se siguroi se integrimi i këtyre dy vendeve është në prioritetet e BE-së dhe siguroi se ekziston vullnet për këtë gjë. Gjithashtu ai u shpreh se beson që intensifikimi i bisedimeve Sofje-Shkup do të sjellë zgjidhje midis dy vendeve dhe se duket qartë që dy vendet kanë vullnet për zgjidhje të çështjeve.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Të fundit